Ish-lojtari i Barcelonës rrëfen betejën me depresionin: Për katër vjet nuk bëra asgjë, vetëm rrija në divan

Sport

Jérémy Mathieu, ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Kombëtares së Francës, ka rrëfyer hapur për periudhën e vështirë që përjetoi pas përfundimit të karrierës profesionale, duke zbuluar se për katër vjet u përball me depresionin dhe qëndroi kryesisht i mbyllur në shtëpi. Francezi 42-vjeçar pësoi një dëmtim të rëndë në gju në vitin 2020, gjatë kohës […]

Madhësia e shkronjave

Jérémy Mathieu, ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Kombëtares së Francës, ka rrëfyer hapur për periudhën e vështirë që përjetoi pas përfundimit të karrierës profesionale, duke zbuluar se për katër vjet u përball me depresionin dhe qëndroi kryesisht i mbyllur në shtëpi.

Francezi 42-vjeçar pësoi një dëmtim të rëndë në gju në vitin 2020, gjatë kohës kur luante për Sporting Lisbonën, duke u detyruar t’i jepte fund karrierës si futbollist. Para këtij momenti, ai kishte luajtur për Sochaux, Toulouse, Valencia dhe Barcelonën, me të cilën fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2015.

Në një intervistë për revistën franceze So Foot, Mathieu tregoi se ndërprerja e papritur e karrierës e la të papërgatitur për jetën larg futbollit.

“Gjithçka u ndal papritur. Mbaja një mbrojtëse në gju dhe nuk mund të bëja shumë. Rashë në një spirale negative. Isha në depresion, nuk ka kuptim ta fsheh. Më mungonin fusha, dhoma e zhveshjes dhe gjithçka që njihja. Për shkak të dëmtimit, nuk pata kohë të përgatitesha për jetën pas futbollit”, deklaroi ai.

Ish-mbrojtësi zbuloi se për një periudhë katërvjeçare e kishte humbur interesimin për aktivitetet e përditshme dhe se mbështetja e bashkëshortes ishte vendimtare për të përballuar atë periudhë.

“Për katër vjet, gjithçka më dukej e errët. Për fat të mirë, gruaja ime ishte pranë meje dhe më ndihmoi të dilja nga kjo situatë. Nuk dija më çfarë të bëja. Isha plotësisht i humbur. Qëndroja në shtëpi 24 orë në ditë. Dilja herë pas here, por jo për shumë gjatë. Ulesha në divan, shikoja televizor dhe përdorja telefonin. Nuk më interesonte më futbolli”, rrëfeu Mathieu.

Puna në një dyqan sportiv e ndihmoi të niste nga e para

Një hap i rëndësishëm drejt rikthimit në jetën normale ishte puna në një dyqan të pajisjeve sportive pranë Marsejës, ku filloi të punonte rreth dy vjet më parë. Fotografia e ish-fituesit të Ligës së Kampionëve duke punuar në dyqan u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur komente të shumta.

Megjithatë, Mathieu shpjegoi se vendimi i tij nuk kishte të bënte me paratë, por me nevojën për t’u rikthyer në jetën shoqërore dhe për të gjetur një rutinë të re.

“Ajo punë më ndihmoi të dilja nga një periudhë e keqe. Rifitova veten dhe jetën time shoqërore, ndërsa më në fund fillova të jetoja përsëri. Shumë njerëz shkruan se kisha falimentuar dhe nuk kisha investuar paratë e mia. Klientët më pyesnin se çfarë bëja aty, kur kisha luajtur për Barcelonën dhe kisha fituar shumë para. Por nuk bëhej fjalë për këtë”, theksoi ai.

Tashmë synon të bëhet trajner

Pas përvojës së vështirë pas përfundimit të karrierës, Mathieu ka nisur një kapitull të ri në futboll. Ai aktualisht stërvit ekipin U15 në Aix-en-Provence dhe po ndjek studimet për t’u bërë trajner profesionist.

Ëndrra e tij është që në të ardhmen të punojë në një akademi futbolli, ku mund t’ua përcjellë përvojën dhe njohuritë e fituara gjatë karrierës gjeneratave të reja. /Telegrafi/

Komentet