Senatori brazilian Flavio Bolsonaro, i cili u largua nga vendi pavarësisht ndalesës gjyqësore, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton CNN.
Një burim i afërt me Bolsonaron tha se ai kishte frikë se mund të arrestohej, ndërsa një këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump pretendoi se autoritetet amerikane i kishin premtuar që të hënën se do t’i lejonin hyrjen në SHBA.
Në pamjet e publikuara nga Reuters, Bolsonaro shihet duke zbritur nga aeroplani në aeroportin ekzekutiv Opa-locka, pranë Miamit.
Bolsonaro është nën hetime nga Gjykata Supreme e Brazilit për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash, akuza të cilat ai i mohon.
Kur u largua nga Brazili, ndaj tij nuk ishte lëshuar ende urdhërarrest. Megjithatë, analistët ligjorë vlerësojnë se moszbatimi i urdhrit gjyqësor për dorëzimin e pasaportave mund të përbëjë arsye të mjaftueshme për lëshimin e një urdhërarresti.
Të hënën, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Alexandre de Moraes, e urdhëroi atë t’i dorëzonte pasaportat brenda 24 orëve. Pasi Bolsonaro nuk e zbatoi urdhrin, policia federale i anuloi dokumentet.
Sipas autoriteteve argjentinase të migracionit, Bolsonaro hyri në Argjentinë me familjen të martën në mbrëmje, prej nga vazhdoi udhëtimin me aeroplan drejt Guayaquilës, në Ekuador, e më pas drejt
Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të së dielës, Bolsonaro fillimisht refuzoi ta pranonte rezultatin, ndërsa partia e tij ndryshoi qëndrim disa ditë më vonë. Kreu i saj, Valdemar Costa Neto, deklaroi se rezultatet pranoheshin, por se çështjet e pazgjidhura duhej të sqaroheshin.
Vëllai i tij, Eduardo Bolsonaro, i cili jeton në SHBA, kishte deklaruar para raundit të dytë të zgjedhjeve se Flávio duhej të largohej nga Brazili nëse humbiste. Të martën, Eduardo i quajti gënjeshtra raportimet se vëllai i tij ishte arratisur.
Në SHBA, Flávio Bolsonaro i bashkohet një numri konservatorësh brazilianë që jetojnë në mërgim. Mes tyre janë vëllai i tij, ish-shefi i inteligjencës Alexandre Ramagem dhe drejtuesi i podkastit Paulo Figueiredo.
Edhe babai i tij, ish-presidenti Jair Bolsonaro, ishte larguar drejt Orlandos, në Florida, pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022, ku qëndroi për tre muaj. Më vonë, ai u dënua me 27 vjet burg për përpjekje për grusht shteti.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Luiz Inácio Lula da Silva e mundi Flávio Bolsonaron me një epërsi prej rreth 4.4 milionë votash. /Telegrafi/