75% e tifozëve të Ligës Premier kundër VAR-it

Rreth tre të katërtat e tifozëve të klubeve të Ligës Premier janë kundër përdorimit të VAR-it, sipas një sondazhi të kryer nga Shoqata e Mbështetësve të Futbollit (FSA). Gati 8 mijë tifozë morën pjesë në sondazh, i cili përfshiu përkrahës nga të 20 s...

Sport
Reklame

Rreth tre të katërtat e tifozëve të klubeve të Ligës Premier janë kundër përdorimit të VAR-it, sipas një sondazhi të kryer nga Shoqata e Mbështetësve të Futbollit (FSA).

Gati 8 mijë tifozë morën pjesë në sondazh, i cili përfshiu përkrahës nga të 20 skuadrat e elitës këtë sezon. Nga të anketuarit, 90% nuk pajtohen se futja e VAR-it e ka përmirësuar përvojën në stadium, ndërsa 91% besojnë se ka dëmtuar spontanitetin e festimeve të golave.

Gjithashtu, 94% e tifozëve nuk pajtohen se VAR-i e bën më të këndshme ndjekjen e futbollit në televizion.

“Rezultatet tregojnë se shumica e tifozëve duan largimin e VAR-it”.

“Kemi jetuar me VAR-in për një kohë të gjatë dhe kemi parë ndikimin negativ që ka pasur në lojë. Njerëzit janë të irrituar nga koha që merr, nga saktësia dhe nga mungesa e spontanitetit” deklaroi Thomas Concannon për “BBC Sport”.

Ai shtoi se VAR-i “po ia heq futbollit atë që duhet të jetë dhe momentet e veçanta që e bëjnë të tillë”.

Nga ana tjetër, Liga Premier reagoi duke thënë: “E kuptojmë rëndësinë e minimizimit të ndikimit të VAR-it në përvojën e tifozëve. Nga hulumtimet tona rezulton se tifozët në përgjithësi janë pro mbajtjes së VAR-it, por me përmirësime në mënyrën e përdorimit”.

72% e tifozëve nuk besojnë se VAR-i e ka bërë gjykimin më të saktë

74% mendojnë se vendimet nuk shpjegohen qartë

86% janë të shqetësuar për zgjerimin e rolit të VAR-it

72% janë kundër përdorimit të VAR-it për vendimet e kornerëve

52% janë kundër përdorimit për kartonët e dytë të verdhë

Ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë se gabimet e arbitrave dhe VAR-it janë në rritje në Ligën Premier.

Concannon shtoi: “Flasim për gjykimin më shumë se kurrë më parë, edhe pse kemi një sistem që supozohet ta bëjë më të saktë. Është e vështirë për tifozët kur një gol anulohet për një pozicion jashtë loje minimal”.

Megjithatë, heqja e VAR-it duket e pamundur. Në vitin 2024, 19 nga 20 klubet votuan për ta mbajtur atë, dhe për ta larguar nevojiten të paktën 14 vota kundër.

Sipas panelit të pavarur të incidenteve kyçe (KMI), saktësia e vendimeve që nga futja e VAR-it është rreth 96-97%, ndërsa vonesat janë ulur me 25% në dy sezonet e fundit.

Liga Premier theksoi se VAR-i sjell më shumë vendime të sakta, me rreth 100 ndërhyrje të sakta në sezon që korrigjojnë gola, penallti apo kartonë të gabuar.

Megjithatë, FSA këmbëngul se zëri i tifozëve duhet të dëgjohet.

“Shpesh shqetësimet e tifozëve injorohen”.

“Është zhgënjyese, sidomos kur thuhet se tifozët janë zemra e futbollit. Mos i injoroni – ata po thonë qartë se kënaqësia në futboll nuk është më si më parë”./Telegrafi/