Studiuesit thonë se disa probleme psikike në moshën e mesme mund të kenë pasoja afatgjata për trurin
Parashikohet që demenca të bëhet një problem gjithnjë e më i madh i shëndetit publik. Ajo nuk shërohet, por ekzistojnë mundësi për ta ngadalësuar përparimin e saj, në mënyrë që simptomat e rënda, që e bëjnë individin të varur nga të tjerët, të shfaqen sa më vonë në jetë.
Për nevojat e studimit, studiuesit nga University College London analizuan të dhënat shëndetësore të 5.811 burrave në moshë të mesme. Personat që u klasifikuan si depresivë në këtë periudhë kishin 27 për qind rrezik më të lartë për të zhvilluar demencë. Studimi është publikuar në revistën Lancet Psychiatry.

Simptomat depresive u regjistruan përmes pyetësorëve. Pjesëmarrësit ishin të moshës 45 deri në 69 vjeç dhe gjendja e tyre shëndetësore u ndoq për 25 vjet. Gjatë kësaj periudhe, 10 për qind e tyre zhvilluan demencë.
Studiuesit konstatuan se rritja e rrezikut për demencë lidhet në mënyrë të veçantë me gjashtë simptoma te personat nën moshën 60 vjeç:
• humbja e vetëbesimit • pamundësia për t’u përballur me problemet • mungesa e ndjenjës së afërsisë dhe dashamirësisë ndaj të tjerëve • ndjenja e vazhdueshme e nervozizmit dhe tensionit • pakënaqësia me mënyrën se si kryhen detyrat • vështirësi në përqendrim
Konkretisht, humbja e vetëbesimit dhe vështirësia për t’u përballur me problemet lidhen me rreth 50 për qind rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës. Në të kundërt, simptoma të tjera si gjendja e keqe shpirtërore, mendimet vetëvrasëse dhe problemet me gjumin nuk treguan lidhje të rëndësishme afatgjatë me demencën, transmeton Telegrafi.
Sipas autorit kryesor të studimit, Filip Frank, rezultatet tregojnë se rreziku për demencë lidhet me simptoma specifike dhe jo me depresionin si tërësi.
Ai thekson se një qasje e tillë, e përqendruar te simptomat, ndihmon për të identifikuar më saktë individët që mund të jenë më të rrezikuar për zhvillimin e demencës në dekadat e mëvonshme.
Ekipi kërkimor vëren se simptoma si humbja e vetëbesimit, vështirësitë në përballimin e problemeve dhe përqendrimi i dobët mund të çojnë në izolim social dhe mungesë të përvojave stimuluese. Sipas tyre, fokusimi në këto gjashtë simptoma gjatë trajtimit të depresionit në moshën e mesme mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë.
Ekspertët theksojnë se demenca nuk ndikon vetëm në kujtesën afatshkurtër dhe në humbjen e aftësive të përditshme, por rrit edhe rrezikun për një sërë problemesh të tjera shëndetësore, përfshirë infeksionet, rëniet serioze, problemet kardiovaskulare, kequshqyerjen dhe vetë depresionin.
Koautorja e studimit, Gil Livingston, thekson se ky është një mënyrë e re dhe e rëndësishme për të kuptuar lidhjen mes depresionit dhe demencës, duke e parë depresionin si një grup simptomash dhe jo si një sëmundje të vetme.
Ajo shton se ka ende prova të kufizuara që trajtimi i depresionit në moshën e mesme mund të ulë rrezikun e mëvonshëm për demencë, prandaj nevojiten studime të mëtejshme. Studiuesit pranojnë gjithashtu kufizimet e studimit, pasi në të nuk janë përfshirë gra dhe grupe të tjera etnike. /Telegrafi/




