Klinika e Pediatrisë në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) njofton se pacienti 5-vjeçar, i hospitalizuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, është nënshtruar sot një intervenimi të domosdoshëm kirurgjik në shputa.
Operacioni është kryer nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.

“Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile,” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Pas përfundimit të operacionit, fëmija është rikthyer në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimi, mbikëqyrja dhe përkujdesja postoperatore.
“Ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë,” apelon Klinika e Pediatrisë.
SHSKUK konfirmon se çdo përditësim mbi gjendjen e pacientit do të bëhet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së, duke respektuar ndjeshmërinë e rastit dhe privatësinë e pacientit. /Telegrafi/





