“243 të vrarë, dhimbje pa fund”, rrëfimi prekës i një nëne nga Krusha e Madhe

Pranë varrit të djalit të saj, ajo qëndron e ulur, me lot në sy. Jo vetëm në këtë përvjetor, por për plot njëzet e shtatë vjet, Alltane Duraku jeton me dhimbje dhe mall që nuk shuhet kurrë. Djali i saj, Jetoni nga Krusha e Madhe, u vra nga forcat ser...

Nacionale

Pranë varrit të djalit të saj, ajo qëndron e ulur, me lot në sy. Jo vetëm në këtë përvjetor, por për plot njëzet e shtatë vjet, Alltane Duraku jeton me dhimbje dhe mall që nuk shuhet kurrë.

Djali i saj, Jetoni nga Krusha e Madhe, u vra nga forcat serbe.

Në përvjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, si shumë nëna të tjera, ajo shkoi për homazhe pranë varrit të djalit të saj, i cili në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç.

Njëzet e shtatë vjet pas luftës, në Krushë të Madhe sot mbizotëroi dhimbja dhe loti për të gjitha ato jetë të shuara.

“Ky është varri i djalit. Kjo datë është shumë e rëndësishme për ne. I kishte vetëm 17 vjet, por ishte shumë i dhënë për liri. E deshi lirinë dhe shkoi për të. Kishte shumë dëshirë të bëhej ushtar, shkoi të regjistrohej, por nuk e pranuan se ishte i ri. Mbante disa shenja të UÇK-së, kishte veshje me shumë xhepa dhe e ndalën në fshat. Kur i kërkuan letërnjoftimin, ai menjëherë ua dha. I thanë: ‘Ti je UÇK’. Një nga fshati, baca Sinan, u tha se ishte i ri, por ata nuk dëgjuan dhe e vranë”, ka rrëfyer ajo për KP.

Kujtimet për djalin e përcjellin kudo. Ajo thotë se kurrë nuk do ta falë agresorin për dhimbjen që i shkaktoi familjes dhe popullit të pafajshëm.

“Shumë dhimbje… jo vetëm në këtë datë, por çdo mëngjes kur zgjohem. Çfarë të ha e çfarë të pi… evladi më është shuar”, tha ajo.

Me qindra familjarë dhe qytetarë bënë homazhe në Kompleksin Memorial të Krushës së Madhe, ku prehen trupat e të vrarëve dhe të masakruarve.

Pothuajse të gjithë me lot në sy dhe me lule në duar, për të nderuar martirët e rënë për liri.

Në mesin e tyre ishte edhe 82-vjeçari Shefki Hoti, i cili ka humbur rreth 20 anëtarë të familjes.

“Gjithë jemi në vaj, gjithë duke qarë. Zemra po na qan, se na kanë shku shumë të rinj. Edhe 64 janë ende pa u gjetur. Çka me i thënë kësaj jete… deri sa të hyjmë nën dhe, nuk i harrojmë. Veç lutemi që më kurrë të mos përjetojmë kështu. Kjo datë na kujtohet gjithmonë, gjithmonë me dhimbje”, tha ai.

Krusha e Madhe përkujtoi sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe.

Më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në këtë fshat të Rahovecit u masakruan 243 persona. Edhe sot, për 64 prej tyre nuk dihet fati.

Ndërkohë, në Krushë të Vogël sot u rivarros Ajvaz Shehu, i zhdukur 27 vjet më parë. Eshtrat e tij janë gjetur në Shirokë para tetë vitesh, por rivarrimi ishte shtyrë pasi nëna e tij nuk mund ta pranonte se ato i përkisnin djalit të saj.