Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 17 deminerë të rinj, pas përfundimit të kursit “Pastrimi i fushëbetejave dhe deminim bazik”.
Ceremonia e përfundimit të trajnimit dhe certifikimit të deminerëve u mbajt sot në ambientet e kazermës “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, ku të certifikuarit do t’i bashkohen radhëve të Kompanisë së Deminimit të FSK-së.

Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi ka zgjatur 6 javë dhe ka përfshirë përgatitje për përdorimin e pajisjeve dhe procedurat bazë të punës në procesin e deminimit.
Në emër të Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Ajeti uroi kursantët e rinj, duke i inkurajuar që të punojnë me zell dhe përkushtim në detyrat e tyre.
Ndërkaq, në emër të Komandës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtruesi i detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, kolonel Astrit Haliti, përcolli urimet e zinxhirit komandues, duke i uruar deminerët në misionin e tyre, të cilin e cilësoi si fisnik.





