Ballina Kuriozitete Si do të funksionojë “identiteti digjital”

Si do të funksionojë “identiteti digjital”

16

Flet Freskida Halilaj, administratore e IdentiTek

 

Kompania shtetërore që ofron   prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike si: pasaporta biometrike, letërnjoftim elektronik, leje qëndrimi do të jetë në qendër të zbatimit të një tjetër nisme.

Bëhet fjalë për “identitetin digjital” që pritet të hyjë në funksion nga viti i ardhshëm.

Në një intervistë për “Monitor” administratorja e IdentiTek Freskida Halilaj shpjegon në mënyrë të detajuar se çfarë është “identiteti digjital”, përfitimet që sjell për qytetarët, s ai sigurt është dhe si do të lidhen format tradicionale të identifikimit të qytetarëve me ato digjitale.

 

Si ka qenë ecuria e IdentiTek përgjatë vitit 2024 dhe 2025, dhe cilat janë fushatat kryesore?

Gjatë vitit 2024, performanca financiare e IdentiTek ka qenë e qëndrueshme, me një EBITA (fitimet para interesave, taksave e amortizimit) prej 44%.

Ndërsa këtë vit kemi arritur në 49%, duke shënuar vitin më të suksesshëm financiar deri më tani.

Por suksesi i IdentiTek nuk qëndron vetëm tek treguesit financiarë. 2025 ka qenë një vit transformues, ku kemi finalizuar dhe vënë në funksion një sërë projektesh të rëndësishme që kanë sjellë lehtësim real për qytetarët dhe kanë modernizuar mënyrën e ofrimit të shërbimeve tona publike.

Disa prej tyre janë:

Karta e identitetit të shpejtë, që sjell një përmirësim të ndjeshëm në kohën e marrjes së dokumentit.

E-Kupon, i mundëson qytetarëve të blejnë kuponin online, pa pritje dhe pa humbur kohë në radhë.

Gjurmo Dokumentin, shërbimi i ri që rrit transparencën dhe i mundëson çdo qytetari të ndjekë statusin e dokumentit të tij në kohë reale.

Firma elektronike, u ka mundësuar konsujve të firmosin në kohë reale aplikimet e shqiptarëve në diasporë, duke përgjysmuar kohën e marrjes së dokumenteve dhe përshpejtuar ndjeshëm gjithë procesin.

Faqja e re zyrtare (Website), e konceptuar për të qenë më intuitive, miqësore dhe e orientuar nga qytetari, duke e bërë ndërveprimin me shërbimet tona më të shpejtë dhe më të thjeshtë.

 

Një nga “sipërmarrjet’ e rëndësishme të deklaruara këtë vit nga qeveria dhe që do të hyjë në zbatim vitin e ardhshëm është “identiteti digjital”. Çfarë është në thelb “identiteti digjital” që Shqipëria po përgatitet të zbatojë?

Identiteti digjital është një ekosistem i ri që do të riformësojë mënyrën se si qytetarët, bizneset dhe shteti ndër veprojnë me njëri-tjetrin.

Ai përfaqëson versionin digjital të dokumenteve të identifikimit dhe është i vlefshëm për t’u përdorur në të gjitha shërbimet online, njësoj si dokumenti fizik.

Vjen si pjesë e vizionit për transformimin digjital të Shqipërisë, i cili nuk i përket më të ardhmes, por është një realitet që po ndërtohet sot.

Identiteti digjital do të përdoret përmes një aplikacioni të dedikuar në smartphone.

Në tetor prezantuam një demo funksionale, duke realizuar në kohë reale ciklin e plotë, nga gjenerimi i identitetit digjital për herë të parë, deri tek një rast konkret përdorimi.

Gjithçka u krye në vetëm tre minuta, proces që aktualisht të merr minimalisht 1 orë.

 

 

Si lidhet identiteti digjital me mjetet tradicionale te indentifikimit dhe cilat janë përfitimet konkrete për qytetarët?

Identiteti digjital ndërtohet mbi të dhënat biometrike të dokumenteve fizike.

Ai nuk i zëvendëson ato, por funksionon paralelisht si një mundësi moderne, digjitale dhe praktike për identifikim. Shteti duhet të sigurojë që zgjidhjet e identitetit të jenë gjithëpërfshirëse, të dizajnuara për të përfshirë të gjithë qytetarët, pa përjashtuar ata që kanë më pak njohuri digjitale.

Ndërkohë që këto teknologji janë të dobishme për qytetarët, jo të gjithë munden ose duan të angazhohen në botën digjitale, prandaj në disa raste duhen ende zgjidhje jo-digjitale.

Por krahasimisht, përfitimet që identiteti digjital ofron janë të shumta, si:
• Përvojë më e mirë në ndërveprim me shtetin dhe bizneset,
• Më shumë lehtësi dhe ulje të kostove,
• Kontroll më i madh mbi identitetin e vet,
• Për bizneset, identiteti digjital hap mundësi të reja për transaksione më të lehta, përputhje më të mirë ligjore dhe rritje të besimit të konsumatorëve,
• Me rritjen e adoptimit rritet edhe ndikimi ekonomik, përmes modeleve të reja të biznesit që zhvillohen rreth identitetit digjital.

 

Cili është roli i kompanisë suaj në këtë proces? A jeni ju që do ta zbatoni teknikisht sistemin?

Roli i IdentiTek nis me zbërthimin e këtij vizioni në hapa konkretë.

Kemi filluar me ndërtimin e kuadrit ligjor; në muajin shkurt kemi miratuar ligjin për letërnjoftimin digjital dhe kemi vijuar me hartimin e akteve nënligjore, të cilat kanë për qëllim standardizimin që do të mundësojë ndërveprueshmëri, qëndrueshmëri dhe siguri, dhe janë në përputhje me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

Ne gjithashtu jemi përgjegjës për ndërtimin e infrastrukturës kombëtare të Identitetit Digjital.

 

Sa i sigurt është ky sistem krahasuar me dokumentet aktuale biometrike?

Përparimi në biometri dhe inteligjencë artificiale hap mundësi të mëdha për verifikim të sigurt dhe pa pengesa të identitetit.

Siguria e identitetit digjital është e shumëfishtë dhe ndërtohet mbi disa nivele mbrojtjeje, duke përdorur teknika kriptografike të avancuara, autentikim me shumë faktorë (MFA) dhe verifikim biometrik përmes fytyrës.

Edhe nëse një mekanizëm komprometohet, të tjerët vazhdojnë të mbrojnë identitetin. Rreziku i falsifikimit ose abuzimit është shumë më i ulët se me dokumentet tradicionale. Sistemi është plotësisht i përshtatur me standardet europiane eIDAS 2.0.

 

 Çfarë ndodh nëse humbet pajisja apo dikush të vjedh aksesin digjital? A mund të abuzohet me identitetin?

Identiteti nuk humbet. Ai rimerret menjëherë dhe transferohet në një pajisje tjetër vetëm nga vetë individi. Vjedhja nuk e vë askënd në rrezik, pasi kërkohet verifikim biometrik dhe autentikim me shumë faktorë.

Një palë e tretë nuk mund të aksesojë asgjë pa autorizim aktiv dhe në kohë reale nga qytetari. Çdo veprim është i dizajnuar mbi parimin “privacy by design”.

 

A mund të përdoret identiteti digjital për nënshkrim elektronik, banking apo udhëtime në BE?

Po. Identiteti digjital është baza për nënshkrimin elektronik, pasi garanton identifikim të saktë të nënshkruesit. Do të përdoret për shërbime bankare, kontrata, e-commerce dhe akses në institucione.

Në të ardhmen synohet ndërveprueshmëri me vendet e BE-së për udhëtime brenda unionit, në përputhje me standardet e unifikuara të EUDI Wallet (portofolit europian të identitetit digjital).

 

A mund të çojë identiteti digjital drejt “kontrollit digjital”?

Është normale që risitë teknologjike të shoqërohen me pasiguri. Por identiteti digjital nuk ka asnjë mekanizëm që i jep shtetit kontroll mbi qytetarin. Është një mjet autonomie, jo monitorimi.

Të dhënat ruhen lokalisht në pajisjen që përdor qytetari dhe jo në serverat e IdentiTek, sistemi është i decentralizuar dhe çdo ndarje e informacionit ndodh vetëm me pëlqimin e tij.

Edhe ndarja e të dhënave personale, biometrike apo administrative, të cilat në botën e identitetit digjital quhen “attribute”, kur ndër vepron me palë të treta, ndodh vetëm me konfirmimin dhe pëlqimin e qytetarit.

 

 Ju drejtoni një kompani që mban në duar sigurinë e identitetit të çdo qytetari. Si e ndjeni këtë përgjegjësi?

E përjetoj si një mision kombëtar dhe një përgjegjësi të madhe profesionale, që kërkon transparencë, integritet dhe zero kompromis në siguri e privatësi.

Çdo vendimmarrje bëhet duke pasur në qendër të vëmendjes qytetarin, mbrojtjen e të dhënave të tij dhe përmirësimin e përvojës së tyre për çdo shërbim që ne ofrojmë.

 

 Çfarë ka ndryshuar në mënyrën si ju e shihni teknologjinë që kur nisët këtë punë?

Kam besuar gjithmonë te roli i teknologjisë në zhvillim dhe progres, por kam qenë e fokusuar te njohja e teknologjisë në vetvete dhe jo te ndikimi real, që ajo ka. Tashmë, duke pasur qytetarin në qendër, teknologjinë e shoh si vlerë praktike.

Njerëzit nuk e adoptojnë teknologjinë vetëm sepse ekziston, por sepse u lehtëson jetën. Apple Pay pati sukses jo sepse ishte inovacion në vetvete, por sepse zvogëloi pengesat me një veprim të thjeshtë, dy klikime dhe një pagesë.

 

 

 

The post Si do të funksionojë “identiteti digjital” appeared first on Revista Monitor.