Ballina AKTUALE KKSh organizon trajnim për mësimdhënësit shqiptarë në Medvegjë mbi vlerësimin formativ dhe...

KKSh organizon trajnim për mësimdhënësit shqiptarë në Medvegjë mbi vlerësimin formativ dhe sumativ

13

Këshilli Kombëtar Shqiptar organizoi sot një trajnim profesional për mësimdhënësit shqiptarë të Komunës së Medvegjës me temën “Të mësuarit sumativ dhe formativ”, duke synuar avancimin e praktikave bashkëkohore në procesin mësimor.

Ligjëratat u mbajtën nga z. Muhamet Mustafa dhe z. Llukman Limani, të dy bashkëpunëtorë të jashtëm të Ministrisë së Arsimit, të cilët ndanë përvoja dhe qasje metodologjike mbi format e vlerësimit dhe rëndësinë e tyre në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

Reklama

Ky është trajnimi i parë i këtij lloji i organizuar posaçërisht për mësimdhënësit shqiptarë të shkollave “Zenel Ajdini” në Tupallë dhe “Banja e Sijarinës” në Banjë të Sijarinës, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin ndërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe institucioneve arsimore shqipe në Medvegjë.

Përmes këtij aktiviteti, KKSh riafirmoi angazhimin e tij për të mbështetur mësimdhënësit shqiptarë në ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm profesional dhe të barazisë në procesin arsimor.

Organizatorët theksuan se mbështetja institucionale ndaj arsimit shqip në Medvegjë mbetet prioritet, me synimin që nxënësit shqiptarë të kenë kushte të barabarta dhe cilësi të lartë në mësimnxënie.

- Reklamë -