Ballina AKTUALE Jetmir Memeti: Premtimi për zgjidhjen e rrjedhjes së ujit në Tërnoc mbeti...

Jetmir Memeti: Premtimi për zgjidhjen e rrjedhjes së ujit në Tërnoc mbeti vetëm fjalë (Video)

22

Shefi i Grupit të Partisë Demokratike, Jetmir Memeti, ka reaguar lidhur me mosrealizimin e premtimit për rregullimin e problemit të rrjedhjes së ujit në Tërnoc, duke akuzuar pushtetin lokal për mungesë veprimi dhe përgjegjësie.

Sipas tij, gjatë seancës së buxhetit për vitin 2025, në dhjetor të vitit 2024, kryetari i komunës kishte premtuar publikisht se çështja do të zgjidhej në pranverën e vitit 2025. Megjithatë, siç thekson Memeti, tashmë jemi në vitin 2026 dhe problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

Reklama

Ai nënvizon se në buxhet nuk është paraparë asnjë investim konkret për këtë çështje, ndërsa situata në terren mbetet e pandryshuar, me ujin që vazhdon të rrjedhë mbi rrugën kryesore të Tërnocit, në afërsi të xhamisë dhe zonave të frekuentuara nga qytetarët.

“Kjo nuk është vetëm një rrjedhje uji. Kjo është rrjedhje përgjegjësie dhe dështim për të mbajtur fjalën e dhënë,” ka deklaruar Memeti.

Sipas tij, premtimet e bëra në mënyrë publike nuk duhet të trajtohen si slogane, por si zotime që kërkojnë seriozitet institucional dhe përgjegjësi konkrete.

“Tërnoci meriton punë konkrete, jo propagandë. Fjala ka peshë dhe kur nuk mbahet, humbet besimi i qytetarëve,” ka përfunduar ai./BujanociNet/

- Reklamë -