Ballina Nacionale Gjykimi në Hagë prek fundin, katërshja e UÇK’së deklarohen të pafajshëm –...

Gjykimi në Hagë prek fundin, katërshja e UÇK’së deklarohen të pafajshëm – tre muaj kohë për shpalljen e Aktgjykimit

1

Çështja gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë, është përmbyllur sot. Katërshja e UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse.
ZPS ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin. Tani, çështja është në dorë të trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e aktgjykimit, ndonëse mund të kërkoj edhe zgjatje të afatit për marrjen e vendimit.
Gjykimit në Hagë për krime lufte kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka ardhur fundi pas gati tri vjetësh. Gjykimi ka filluar më 3 prill të 2023’tës.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, dhanë sot deklaratat përmbyllëse ku u deklaruan të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Thaçi tha se është plotësisht i pafajshëm për akuzat me të cilat e ngarkon Prokuroria.
“Është vetëm një e vërtetë, që akuzat nuk qëndrojnë, unë jam plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Thaçi.
Pretendimet për kontroll, i cilësoi si të pavërteta, absurde dhe ofenduese.
“Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë, kur gjatë luftës unë se dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja gruan time dhe djalin e sapo lindur, e lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë”, deklaroi Thaçi.
Ai tha se bashkëpunimi me Perëndimin dhe NATO-n ishte vendimtar për fitoren e Kosovës dhe se pavarësia nuk ishte mjet për pushtet personal.
Sipas tij, i vetmi kundërshtar i tij dhe i popullit të Kosovës ishte Sllobodan Millosheviqi.
Ai kritikoi Prokurorinë për ndjekje selektive dhe për pretendimet mbi ndërmarrjen e përbashkët kriminale, duke i cilësuar të padrejta.
Në përfundim, Thaçi kërkoi që gjykata të vendosë në përputhje me provat dhe ligjin.
“I vetmi vendim i drejt është pafajësia e plotë”, përfundoi deklaratën Thaçi.
Edhe Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Ai tha se nuk ka asnjë provë që është paraqitur para Gjykatës, që tregon se ka kryer ndonjë krim.
“Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Sa i përket pjesëmarrjes time në luftë, s’ka lindur prej dëshirës për konflikt”, tha Veseli.
Ai tha se Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë.
“Kjo nuk është thjeshtë një detyrë ligjore, por kontributi dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate”, tha Veseli.
Veseli tha se edhe në momentet më të errëta, nuk e ka humbur besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfojnë, edhe nëse me vonesë.
“Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore. Ndërgjegjja ime është e pastër”, përfundoi Veseli.
Rexhep Selimi, në fjalën përfundimtare, tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi, duke shtuar se UÇK-ja nuk është krijuar nga dëshira, por nga nevoja dhe se armët për ta ishin mbijetesë.
Ai përmendi edhe zgjatjen e këtij procesi gjyqësor.
“Edhe pse kanë kaluar gati tre vite, Prokuroria vazhdon të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë me të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare”, tha Selimi.
Selimi tha se nëse lufta nuk do të ndalej, ai ende do të ishte ushtar i Kosovës.
“UÇK-ja nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë që u krijua nga nevoja. UÇK ishte ushtri çlirimtare. Po, kam bartur armë, armët për ne ishin mbijetesë. Shumica e bashkëluftëtarëve të mi kanë vdekur duke i siguruar ato. Edhe nëse lufta nuk do të ndalej më 1999 dhe do të vazhdonte deri më sot, unë ende do të isha ushtar i vendit tim”, tha Selimi.
Deklaratat përmbyllëse përfunduan me Jakup Krasniqin.
Krasniqi i mohoi akuzat e Prokurorisë lidhur me të, duke thënë se i janë veshur role, autoritet dhe përgjegjësi që nuk i ka pasur kurrë.
“Kjo është shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e Prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush”, tha Krasniqi.
“Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që m’u atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO-ja dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë përkrah terroristëve”, nënvizoi ai.
Ai ka thënë se për më shumë se pesë vite i janë mohuar të drejtat e njeriut, veçanarisht e drejta për të jetuar në liri, pranë familjes e në atdheun e lirë.
“Për më shumë se pesë vite më janë mohuar të drejtat e njeriut të garanatuara nga Konvente Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, ndër to më e rëndësishme e drejta për të jetuar në liri, veçanarisht e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij, për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes në atdheun e lirë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai tha se këto vite të kaluara në paraburgim kanë qenë të padrejta dhe të panevojshnme.
“Kjo më është bërë pa i shkaktu padrejtësi askujt, pa ia rreziku jetën asnjë njeriu të vetëm, përkundrazi kam rrezikuar jetën timë, jo vetëm gjatë luftës clirimtare, por që nga vitet 1972-1973”, tha Krasniqi.
Pas deklaratave përmbyllëse të katërshes, Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, e ka mbyllur çështjen gjyqësore.
Ai i falënderoi ekipet e mbrojtjes dhe “të gjithë personat të cilët kanë ndihmuar për realizimin e suksesshëm të kësaj çështjeje gjyqësore”.
“Jemi ndjerë shumë të ndihmuar prej kontributeve për të siguruar drejtësinë e procesit dhe që ekipet e mbrojtjes dhe të akuzuarit kanë marrë shërbime efektive gjatë gjithë kohës”, tha ai, duke e falënderuar edhe stafin administrativ të gjykatës.
Për datën e shpalljes së aktgjykimit, Smith tha se do të jetë në kontakt me avokatët dhe Prokurorinë.
“Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sipas nevojës, me palët, për sa i takon datës së shpalljes dhe shqiptimit të aktgjykimit”, tha Smith.
Kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specialzuar është që secili të dënohet me nga 45 vjet burgim.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Mbeten shumë të rënda”, ka deklaruar Kryeprokurorja Kimberly West.
Mbrojtja e ish-krerëve ka thënë se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Tani, çështja është në dorë të trupit gjykues. Gjykatësit kanë kohë tre muaj që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

- Reklamë -