Ballina AKTUALE Bllokohet për disa orë rruga drejt Kosovës në fshatin Breznicë; Xhandarmeria serbe...

Bllokohet për disa orë rruga drejt Kosovës në fshatin Breznicë; Xhandarmeria serbe bastis kazinotë në brezin kufitar

533

Breznicë, 12 Shkurt 2026 – Një operacion i gjerë i forcave të Xhandarmerisë ka përfshirë sot brezin kufitar në fshatin Breznicë, duke shkaktuar bllokimin e aksit rrugor që lidh këtë zonë me Republikën e Kosovës. Për disa orë me radhë, lëvizja e automjeteve dhe qytetarëve u pezullua, ndërsa forca të shumta policore rrethuan objektet e lojërave të fatit që operojnë në këtë pjesë të ndjeshme kufitare, raporton BujanociNet.
Ndonëse deri në këto momente autoritetet policore nuk kanë lëshuar një komunikatë zyrtare për mediat, burime të sigurta nga vendngjarja për redaksinë tonë bëjnë me dije se fokusi i bastisjeve kanë qenë kazinotë që ndodhen “poshtë” vijës kufitare. Banorët e fshatit Breznicë, të shqetësuar nga prania e shtuar e forcave të rendit, njoftuan se mjetet e Xhandarmerisë kishin bllokuar pikat kyçe të kalimit për të mundësuar kontrollin e imtësishëm të këtyre ambienteve.

Sipas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, dyshohet se ky aksion vjen si pasojë e aktiviteteve të paligjshme që dyshohet se ushtrohen brenda këtyre pikave të lojërave të fatit. Frekuentues të këtyre bizneseve dhe dëshmitarë okularë kanë pohuar shpesh se zona është kthyer në një pikë problematike për rendin dhe ligjin.

Reklama

Ky nuk është incidenti i parë që lidhet me këto objekte. Redaksia jonë rikujton se rreth një vit më parë, kjo zonë ishte skenë e një sulmi të armatosur, ku u regjistruan të shtëna në drejtim të objekteve të kazinove. Ngjarja e atëhershme, për të cilën kemi raportuar gjerësisht, pati ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e banorëve të fshatit Breznicë dhe kontrollin e territorit në afërsi të kufirit./BujanociNet/

- Reklamë -