Ballina Lajme nacionale Zyrtarëve të Beogradit u ndalohet hyrja në Kosovë për të bërë fushatë

Zyrtarëve të Beogradit u ndalohet hyrja në Kosovë për të bërë fushatë

10
SHPËRNDAJE

Zyrtarëve të Beogradit u është ndalur hyrja në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë ua kanë ndalur hyrjen zyrtarëve nga Beogradi për të hyrë në Kosovë për të bërë fushatë.

Jetlir Zyberaj nga MPJ ka bërë të ditur se këtë vendim autoritetet kosovare e kanë marrë pas kërcënimeve që po iu bëhen komunitetit serb në Kosovë nga ana e Beogradit zyrtar.

“Zgjedhjet e 6 Tetorit janë zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi”, ka shkruar Zyberaj.

Ai ka shkruar se Beogradi e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

E hyrja për në Kosovë i është ndaluar edhe zëvendës drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Damjan Joviqit.

Joviqi, që shef ka Marko Gjuriqin, me këtë rast ka deklaruar se “represioni dhe dhuna politike ndaj popullit serb dhe ndaj Listës Serbe vazhdon” dhe ato shtohen në intensitet me afrimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Në një deklaratë për televizionin serb në Kosovë, “Most”, Joviqi ka thënë se sot është dashur të vizitojë fshatrat Bajë e Suhogërllë të Komunës së Skënderajt, sikurse edhe Prelluzhën në Vushtrri, në mënyrë që të ftonte banorët të votojnë për Listën Serbe më 6 tetor.

“Prishtina duhet të kuptojë se populli serb nuk voton për Listën Serbe për shkakun tonë të të ndaluarve, por populli serb e mbështetë Listën Serbe sepse e do Serbinë dhe këtë askush kurrë s’do ta ndryshojë”, ka thënë Joviqi, transmeton koha.

Edhe zëvendësdrejtorin tjetër të kësaj zyre, Dushan Kozarev, sipas mediave serbe, dje Policia në rrugën nga Ranillugu drejt Novobërdës e ka ndalur dhe e ka detyruar atë të lëshojë Kosovën.