Ballina Sport Zidane në dilemë për formacionin te Reali; sigurinë e veteranëve apo forcën...

Zidane në dilemë për formacionin te Reali; sigurinë e veteranëve apo forcën e të rinjve?!

37
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------

Zidane gjithmonë ka befasuar me formacionet dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Dhe me të vërtetë, ai nuk do të ketë një 11-she fikse, të pandryshueshme. Francezi do të vazhdojë me rotacionet e tij të konsiderueshme, për t’i përfshirë të gjithë lojtarët gjatë sezonit. Por, në këto ditë parasezonale, trajneri i Real Madridit po verifikon se skuadra e tij ka një pasuri lojtarësh që, pavarësisht mungesës së përforcimeve, është më e madhe e vitit të kaluar. Kjo ndodh për shkak se veteranët ruajnë finesën e tyre me topin në këmbë, ndërsa shumica e të rinjve kanë arritur një nivel fizik superlativ, që mund ta lejojë trajnerin francez të luajë paksa ndryshe nga sezonet e fundit.

Zidane, veçanërisht ai që fitoi tre Champions radhazi, është karakterizuar gjithmonë nga “përtypja” e lojërave, duke ia besuar “dhomën e motorit” Kroos dhe Modric. Filozofia e lojës, me variantet e shumta taktike që trajneri ka prezantuar, ka qenë gjithmonë e njëjta. Tani, megjithatë, francezi vëren se ka një lëndë të parë në dhomën e zhveshjes, që mund ta lejojë të luajë një futboll shumë më agresiv, ndoshta jo aq të përpunuar, por më të drejtpërdrejtë. E gjitha falë fuqisë fizike të më të rinjve në skuadër.

Martin Odegaard është një shembull. Norvegjezi po spikat më shumë me forcën e tij sesa për cilësitë spektakolare. Ata që e shohin të stërvitet çdo ditë në Valdebebas sigurojnë se është një mrekulli fizike, i aftë të bëjë gjëra të shkëlqyeshme në fushën e blertë. Odegaard është shumë larg stereotipit të një krijuesi që nuk punon, përkundrazi, konsiderohet e kundërta. “Vertikaliteti, forca, talenti, prekja, gjuajtja… Ai i ka të gjitha”, – thonë te Real Madridi. Së bashku me Odegaard po dallohet edhe Valverde. Uruguajani është një lloj lojtari tjetër, por në stërvitje po dëshmon kapacitet të plotë. E njëjta gjë ndodh me Vinícius dhe Rodrygo, të cilët, së bashku me trajnerët e tyre personalë, janë të vendosur të bëhen lojtarë të fuqishëm.

Ata erdhën në Madrid mjaft të hajthshëm, por në më pak se një vit kanë trupa të skalitur me muskuj. “Ata nuk e kanë humbur driblimin, por kanë fituar shumë forcë”, – thonë trajnerët përkatës, Thiago Lobos dhe Marcel Duarte. Me këta lojtarë, plus Mendy në korsinë e majtë, Zidane mund të përftojë formacion më shumë fizik, vertikal dhe të ri. Një ekip më afër futbollit modern, që mbretëron sot në Europë, me presion të lartë dhe që ka shpejtësi të plotë. Në versionin më radikal të “Zizou”; Courtois, Carvajal, Varane, Ramos, Mendy, Casemiro, Valverde, Odegaard, Rodrygo, Vinícius dhe Benzema do të ishin “kryefjalë”.

Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe dilema, sepse francezi është ende shumë i lidhur me stilin që e bëri atë të ketë sukses. Po kështu, nuk mund t’i “flakë” kollaj lojtarët që e bënë atë legjendë si trajner. Treshja Casemiro-Kroos-Modric, që komandoi Europën me një grusht të hekurt, midis viteve 2016 dhe 2018, ende kanë shumë mundësi për ta filluar sezonin si titullar. Sepse “Zizou” u beson atyre më shumë se kujtdo tjetër dhe sepse ata, gjithashtu, janë kthyer nga pushimet në një nivel të shkëlqyeshëm. Kroos dhe Modric nuk i ofrojnë atij vrullin e Valverde dhe Odegaard, por më shumë pauzë dhe kontroll të lojës, gjëra që Zidane i ka pëlqyer gjithmonë.

---- ----
-----