Ballina Lajme nacionale Zhvillime të reja në rastin e 12-vjeçarit nga Fushë Kosova i cili...

Zhvillime të reja në rastin e 12-vjeçarit nga Fushë Kosova i cili u privua nga jeta

50
SHPËRNDAJE

Rasti i 12 vjeҫarit nga Fushë Kosova është rasti që tronditi të gjithë.

Po bëhen një muaj që kur i mituri nga Fushë Kosova u privua nga jeta.

Që nga ajo kohë, u mor vesh se bashkë me të ëmën e tij, 12-vjeçari kishte raportuar dy herë keqpërdorimin që ia bënte i dyshuari S.O.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, asgjë nuk u ndërmor në këtë rast, gjë që çoi edhe në vdekjen e të miturit.

E një numër i institucioneve kanë nisur hetime të ndryshme për të parë se ku dështoi shteti për mbrojtjen e 12 vjeçarit.

Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit për Komunitete dhe Kthim, thotë që ishte pikërisht prokuroria që e neglizhoi rastin, raporton KTV.

Më tutje, Sveçla tregon se janë njoftuar që i dyshuari S.O., kishte prapavijë të dyshimtë.

Merret vesh që prokurorë të rastit ishin Ruhan Salihu dhe Raze Loshaj.

Televizioni kontaktoi prokurorin Ruhan Salihu. Ai përmes telefonit, tha se vetëm ka këshilluar në këtë rast, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.

Ndërkaq, nuk u përgjigj në pyetjen se a ishte në dijeni se i dyshuari kishte vuajtur dënim për veprën.

E Raze Loshaj ka thënë që me rastin është marrë vetëm në janar, kur edhe ka kërkuar të merret deklarata e të dyshuarit, i cili në atë kohë ka qenë në ikje. Më tutje, Loshaj e ka pranuar që ka qenë në dijeni se i dyshuari S.O., ka paraqitur rrezik për të miturin.

Burime brenda Prokurorisë Themelore kanë treguar për KTV që janë iniciuar procedura disiplinore ndaj prokurorëve.

Televizioni mëson se mund të merren masa edhe në polici për neglizhencë në punë.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Policia ka thënë se po merren me hetime në këtë aspekt.

“Inspektorati Policor i Kosovës me të pranuar informacionin lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të të miturit nga Fushë Kosova, menjëherë ka filluar grumbullimin, shqyrtimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Varësisht nga gjetjet, IPK-ja do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

E për të njëjtin rast, ka iniciuar hetime edhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

K.V., i mituri nga Fushë Kosova, u gjet pa shenja jete para një banese më 11 korrik.

Sipas familjes së tij, ai ishte keqpërdorur vazhdimisht nga S.O., i dyshuar që po mbahet në ndalim nën dyshimin se ka kryer veprën penale: vepër e rëndë.

-----