Ballina Arti Zbulohet programi politiko-ekonomik i Princit Wilhelm Wied për Shqipërinë, i botuar në...

Zbulohet programi politiko-ekonomik i Princit Wilhelm Wied për Shqipërinë, i botuar në Gjermani në librin “Denkschrift uber Albanian”, dhe i refuzuar në Tiranë në 1956-ën

17
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri i panjohur me kujtime me titull “Denkschrift uber Albanian” (Memorandumi mbi Shqipërinë), i shkruar nga Princi Wilhelm Wied dhe i botuar në Gjermani menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, ku princi gjerman që mbretëroi vetëm gjashtë muaj në vendin e vogël ballkanik, në një kapitull të veçantë ka shkruar një program politiko-ekonomik për Shqipërinë, ku ka parashtruar idetë e tij që mendonte t’i zbatonte gjatë mbretërimit të tij. Të gjitha idetë e princit gjerman të shkruara në programin e tij politiko-ekonomik, me anë të cilave ai mendonte se do të zhvillohej dhe të përparonte Shqipëria, të publikuara për herë të parë në atë libër që u përkthye edhe nga Instituti i Historisë në Tiranë në vitin 1956, por që s’e pa kurrë dritën e botimit, ku Wilhelm Wied, mes të tjerash është marrë gjatë edhe me historinë e Kosovës, duke paraqitur fakte dhe dokumente, madje duke kërkuar që ajo t’i kthehej trungut mëmë, Shqipërisë, pasi ishte një padrejtësi ndaj vendit të vogël ballkanik buzë Adriatikut, që Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Londrës, për konjuktura politike i shkëputën gati gjysmën e territorit të tij.

Nga Dashnor Kaloçi

Në librin e tij me kujtime të titulluar “Denkschrift uber Albanian” (Memorandumi mbi Shqipërinë), i cili fillimisht u botua në Gjermani menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, Princi gjerman, Wilhelm Wied, (1876-1945) ka publikuar edhe një kapitull të gjatë, ku ka parashtruar një program ekonomiko-politik, që ai e kishte bërë gati për ta zbatuar në Shqipëri, në vendin e vogël ballkanik ku ai mbretëroi vetëm për gjashtë muaj. Një vend të veçantë në atë program zë edhe Kosova e viset e tjera shqiptare të lëna padrejtësisht jashtë kufive të saj natyror nga Konferenca e Londrës në vitin 1913-të, për të cilat Wied kërkonte që t’i ktheheshin menjëherë Shqipërisë. Atë kërkesë, Princi Wilhelm Wied, nuk e parashtronte atë gjë thjesht si një dëshirë të tij, por ai e argumentonte me fakte dhe dokumente, duke e shkruar se ajo ishte një e drejtë legjitime e vëndit të vogël ballkanik buzë Adriatikut, të cilin, Fuqitë e Mëdha, për konjuktura politike të çastit dhe për të kënaqur ‘orekset’ e fqinjëve, i shkëputën padrejtësisht gati gjysmën e territoreve të trungut të saj. Lidhur me këtë, nga kujtimet e Wied-it të botuara fillimisht në librin e tij “Denkschrift uber Albanian” (Memorandumi mbi Shqipërinë), libër i cili në vitin 1956 u përkthye edhe nga Instituti i Historisë në Tiranë, (po që nuk e pa kurrë dritën e botimit), Memorie.al ka përzgjedhur vetëm disa pjesë të tij, aty ku ai bën fjalë për programin politiko-ekonomik, ku princi gjerman, Wilhelm Wied, ka parashtruar idetë e tij, se si do të përparonte dhe do të zhvillohej Shqipëria.

Programi politiko-ekonomik i Princ Wilhelm Wied për Shqipërinë

Drejtimi i politikës së jashtme të Shqipërisë në t’ardhmen tregoj kjartë bashkëpunimi i princit të saj dhe i popullit shqiptar me fuqitë qendrore. Si populli më i vjetër në Ballkan ay nuk priret as për te Serbët dhe as për te Malazezët dhe as për tek Italianët. Përkundrazi ajo do të formojë, si armiku për vdekje i të dy popujve të përmendur sllave ballkanike, një bastion të fortë kundra invadimit të tyre. Vetëm me bashkëpunim të ngushtë politik dhe ekonomik me fuqitë qendrore shohim; unë, populli im dhe kryetarët e saj më të mirë një zhvillim kultural të lumtur dhe të qetë të vendit.

E rrokin fuqitë qendrore dhe para së gjithash Austro-Ungaria dhe Bullgaria rëndësinë e çastit, në të cilën Shqipëria për një kohë t’ardhme të largët, dëshiron vullnetarisht të lidhet me ta dhe të tregojë bujarisht mirë-kuptim për dëshirat shqiptare më se të drejta, atëhere ata e lidhin Shqipërinë edhe më ngushtë me vendimet e tyre, se sa do të qe e mundur ndonjëherë prej një coptimi ose një okupimi. Për shekuj të tërë Shqipëria bëri kryengritje të vazhdueshme kundra zgjedhjes turke! Një popull i tillë edhe tash nuk do ta duronte kurrë një robërim nën një të huaj tjetër dhe gjithnjë do të këpuste prangat. Si rrjedhim ajo do t’ju çel portat dallavereve të armiqëvet të fuqisë qendrore  dhe do të shpresonte pret tyre çlirimin e saj. Çdo zhvillim kultural do të pezullohesh prej ekzistencës së tillë të brendshme aktive dhe pasive. Sjellja e fuqive evropiane para luftës bëri në masat e gjera të popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë në inteligjencën e vendit  përshtypjen më të keqe.

“Të garantohen kufijtë etnikë të Shqipërisë”

Një institucion si komisioni i mëparshëm i kontrollit nuk duhet të krijohet as kurrë më. Për të evituar trazirat kufitare është i nevojshëm garantimi i këtyre kufijve të Shqipërisë prej anës së fuqive qendrore, dhe bile jo vetëm kufive të vjetra, por edhe atyre tokave të reja, që i përkasin etnografikisht me kohë dhe që tash do të jepen edhe politikisht. Shqipëria duhet të presë me siguri një zmadhim që t’ju përgjigjet rrethanave vërtet etnografike dhe ekonomike-gjeografike, më të ndershëm dhe më të drejtë se sa deri më sot, një zmadhim nëpërmjet tokash thjesht shqiptare, të cilat arbitrarisht dhe pa u gjykuar mirë u ndanë prej saj, në Serbinë edhe Montenegron e Re.

Në kryengritje të dëshpëruara, fiset shqiptare që banojnë atje u mprojtën kundra ç’farosjeve të shtypësve të tyre, Serbëve dhe Malazezëve. Me ribashkimin me Shqipërinë tjetër nuk do të evitohen vetëm trazirat dhe kryengritjet e pashmangshme të këtyre fiseve, por se këto regjione pjellore dhe ekonomikisht shumë të rëndësishme do të formonin në të vërtetë sigurimin më të mirë për një përforcim të brendshëm të të gjithë Shqipërisë. Nevoja e këtij zgjerimi të Shqipërisë është theksuar edhe prej Austro-Ungarisë, me rastin e themelimit të vendit dhe ka dhe tash natyrisht vleftën e plotë të saj.

Shqipëria duhet të përmbledhi në gji të vet gjithë tokat e gadishullit Ballkanik, që banohen në pjesën më të madhe prej popullsisë shqiptare, për deri sa e lejon gjendja gjeografike e këtyre tokave. Pa dashur sot të okupohem këtu me përshkrimin e kufijve që është gjeografikisht e drejtë dhe për këtë arsye për t’u anuar politikisht siç i nevojiten Shqipërisë për zhvillimin e saj të shëndoshë dhe se ajo është e zbatueshme krejt, pa ju bërë padrejtësira vendeve fqinjë, duhet të theksohet se, sidomos në veri dhe në veri-lindje, kundrejtsisht dhe krejt arbitrarisht. Por edhe në jugë nuk i përgjigjen ato aspak kufive etnografike, pra kufive të tokave të bashkuara që flasin në mazhoritet shqip.

“Kosova dhe Epiri duhet të bashkohen më Shqipërinë”

Por së paku tokat që flasin krejt ose me shumicë gjuhën shqipe, e Ipekut dhe Gjakovës, Kosova me Prishtinën, regjionet rreth e përqark Prizrenit, Kalkandela dhe Dibra, duhet të bashkohen me Shqipërinë. Një kufizim i drejtë që t’ju përgjigjet rrethanave etnografike dhe ekonomike-gjeografike të Shtetit Shqiptar, duhet dhe Epiri të bashkohet me të, i cili në fillim na u grabit prej Greqisë, tash prej Italisë. Ky zgjerim i drejtë në jug u duk deri tash në vështrimin e Greqisë dhe mbretit të saj të ndershëm neutral, tash si e pamundur. Deri në transformacionin më të ri të Greqisë që për këtë arsye e këshillueshme, që Shqipëria të tërheqë aspiratat e saja të drejta të caktimit të kufijve në jug dhe të kënaqesh e pakta me respektimin e pa kondita të kufisë jugore të caktuar në Konferencën e Londrës.

Epiri, kjo provincë jugore e Shqipërisë është një tokë shumë pjellore në të cilën banojnë shqiptarë me kulturë. Për këtë arsye që dhe është prej një rëndësie të madhe, që kjo provincë t’i mbetet Shqipërisë. Po që të dukesh se qe diktuar për shkaqe praktike të nalta përkundrejt Greqisë të monarkut të ndershëm neutral Konstantinit, këtij mëshiri mbretëror, për realizimin e aspiratave të drejta të Shqipërisë, për sa i përket Epirit të heqë dorë, atëhere përkundrazi nuk është asnjë arsye e Greqisë pseudo-demokrate të fanatikut dhe dinakut t’anmikut Gjerman, Venizelos, toka të okupuara ose të kërkuara t’i lihen, mbi të cilët ay nuk mund të ngrejë asnjë të drejtë dhe lënia e tyre në dorën e një Greqie Venizelane, do të thosh kërcënim direkt të transportit të lirë austriak n’Adriatik!

“E drejta e Shqipërisë të zgjeroj kufijtë e jugut”

Por që mbi këtë të mund të humbiten fjalë, si p.sh., për t’i lënë Italisë në posedim të Epirit që sot është zaptuar prej saj, nuk ka nevojë të thuhet. Jo, sot është bërë një e drejtë e Shqipërisë, për të zgjeruar kufinë e Jugut aq larg siç e meriton prej natyre. Austro-Ungaria dhe me këtë edhe Gjermania do të plotësojnë përkundrejt një Greqije venizeliste, si përkundrejt Italisë, gati një akt-vetmbrojtje, po qe ato do t’u kthejnë vendit tim kufitë natyrore të tij, të cilat asaj kohe u shkurtuan vetëm prej dallavereve të Italisë dhe Englisë.

Shqipëria u jep vleftë të veçantë marrëdhënieve me Bullgarinë, fqinjin e tij të ardhshëm lindor. Midis Shqipërisë dhe Bullgarisë nuk kanë ekzistuar kurrë grindje. Një fat i lumtur i lejoj popullit trim bullgar shumë më parë të fitojë lirinë e tij dhe të përshkojë rrugën e zorshme për një shtet modern kultural, të cilin Shqipëria, duke imituar atë, është duke e ndërrmarë. Simpatia që ekziston midis dy popujve dhe respekti formojnë garancinë për marrdhënie miqësore të ngushta.

“Pyetje të politikës së brendëshme”

Posa e rëndësishme është caktimi i kufive edhe më e rëndësishme është organizimi i brendshëm i vendit. Edhe këtu Shqipëria shpreson në ndihën energjike dhe në mbrojtjen e dy imperatorëve në krijimin e ushtrisë së saj, në formimin dhe edukimin të një shtrese nëpunësish dhe për ngritjen e institucioneve të ndryshme shtetërore. Për të gjitha këto Shqipëria ka material shumë të përshtatshëm, por krejt të paedukuar. Shqiptarët qenë qysh prej shekujsh ushtarët më të mirë dhe besnik të Turqisë.

Ishin dhe janë me origjinë shqiptare një numër i madh nëpunësish të parë të Turqisë. 36 vezirë të mëdhenj i kanë dhënë shqiptarët imperatorisë Ottomane. Edhe ministri i Luftës i tashëm i famshmi Enver Pashaj, është shqiptar. Ekonomia e keqe nën regjimin e vjetër turk i detyroj shumë prej fuqive më të mira të emigrojnë jashtë shtetit. Në besnikërinë e tyre për vendin më të shumtit më vonë do të kthehen prapë dhe do të sakrifikojnë vendit të tyre fuqinë e tyre, por tash për tash nuk mund të llogaritet.

“Reformimi i Ushtrisë”

Ndoshta faktori më i rëndësishëm për mbajtjen e një shteti është ushtria e tij; për me formue atë është gjëja më e domosdoshme. Me gjith se bazën e ushtrisë së ardhme mund ta formonin trupat shqiptare që tash luftojnë nën komandën e Austro-Ungare kundra Italisë, prap se prap kjo fuqi militare si mbështetje e qeverisë kundër posibiliteteve të brendshme e të jashtme është e dobët dhe e paorganizuar. Perfeksionimi i tyre nuk është i thelluar dhe aq tepër, sa që ay vetëm, pa instruktorë të fuqive qendrore, të mund të marrë perfeksionime të reja, dhe kështu zmadhimin e nevojshëm të ushtrisë.

Trupa më e sigurtë për formimin e një ushtrie moderne të vogël, por t’organizuar mirë, do të qe për të lënë 5-1000 vetë trupa austro-ungare për disa vjet në Shqipëri trupa okupimi. Këto formojnë të ndara në njësi më të vogla në vend të përshtatshëm, kuadro instruktorësh. Ata marrin perfeksionimin e ushtarëve shqiptarë dhe nënoficerëve nën kryesinë e instruktorëve gjermano-austro-ungare. Thelbin e trupave t’ardhshëm të oficerëve e formojnë shqiptarë, të cilët kanë luftuar si oficerë në Ushtrinë Austro-Ungare ose turke. Perfeksionim i oficerëve që do t’i nevojiteshin më vonë Shqipërisë, duhesh të kryesh në Austro-Ungari, duke deklaruar këto dy vende të gatshëm të marrë secili 100 të rinj shqiptarë të zgjedhur për perfeksionimin e tyre si oficerë në ushtrinë e tyre, si dhe të lejonin hyrjen e të rinjve të aftë në shkollën e kadetëve.

Në këtë mënyrë jo vetëm që do të qe siguruar perfeksioni i mbaruar i tyre militar, por se do të qe një lidhje midis Gjermanisë, Austro-Ungarisë dhe Shqipërisë, e cila do të bëhet edhe më e ngushtë, sa më shumë që këta oficera shqiptarë të kohës s’ardhme do të duan vendet e perfeksionit të tyre dhe do të nderojnë ato. Konditat për kalimin e kësaj rruge për krijimin e një ushtrie shqiptare sot është natyrisht detyrimi i Austro-Ungarisë të thërresë të gjithë trupat e perfeksionimit me përjashtim t’oficerëve-instruktorë, mbas një afati të caktuar prej Shqipërisë. Organizmi i Gjendarmërisë shqiptare, mund të kryhesh, pavarësisht prej ushtrisë, prej oficerave dhe nënoficerave gjermanë dhe austro-ungarë të gjendarmërisë.

“Qeveria dhe administrimi”

I një mendimi me programin e nacionalistave shqiptarë, e konsideroj si të domosdoshme ngritjen e menjëhershme të një senati, i cili në fillim do të ketë vetëm votë konsultative, por me kohë do të jepet e drejta e ligj-dhënjes. Senatorët që do të emërohen prej meje, duhet si patriotë dhe nacionalistë më të mirë dhe më të njohur, të gëzojnë besimin e popullit. Ata duhet të reprezantojnë gjithë shtresat dhe klasat e vendit, bujarinë, pronarët e mëdhenj, buqit, tregtarët, zejtarët, nëpunësit dhe kryetarët e konfeksioneve të ndryshëm.

Në bashkëpunimimin intensiv prej tij, kalkulojnë sidomos në çështjet urgjente organizmi, si dhe riformimin unik të ligjeve të vendit. Më vonë senati do t’i lihet një dhomë e dytë që do të dalë me anë zgjedhjesh. Vendi, duke pasur gjithmonë parasysh gjendjen gjeografike, do të ndahet në disa qarqe, në krye të së cilit si shefa të gjithë administratës do të jenë prefekta të propozuar prej Këshillit Ministruer dhe t’emruar prej meje. Ata duhet t’i përkasin mundësisht fisit ose rajonit të qarkut relativ. Mbasi tash për tash mungojnë krejt nënpunsa me shkollë dhe eksperiencë, do të ish ngushtësisht e domosdoshme, që fuqitë qendrore t’i lenë Shqipërisë për disa vjet për t’i mësuar në fillim nënpunsat shqiptarë, nënpunsa me zotësi dhe prirje organizative.

Kjo është e nevojshme edhe për çështjet financiare, doganore dhe tatimore, për të cilat sjell rregull dhe mbikëqyrje në financat e shtetit, të njesojnë t’ardhurat dhe të dalat dhe për të mundur të garantojnë një tjetër taksë të huaj që do të merret. Financat e rregulluara janë natyrisht edhe për Shqipërinë bazat e domosdoshme për lulëzimin e bujqësisë, tregtisë dhe industrisë; ato janë mbas rendit dhe qetësisë në vend kondita për besimin e shteteve të huaj, prej të cillëve mvaret zhvillimi i Shqipërisë.

“Çështjat ekonomike”

Ç’frytëzimi ekonomik i Shqipërisë është lidhur ngushtë me goditjen e një rrjeti rrugor, vetëm rrugët japin mundësinë e një shkëmbimi aktiv mallrash, ato ngrehin sigurinë e vendit dhe formojnë nëpërmjet mundësisë për komunikacion midis secilit fis, të cilët deri më sot qenë të veçuar në përgjithësi për shkak të komunikacionit, një lidhje bashkimi. Asnjë vend edhe sa më i favorizuar të jetë prej natyrës, pa ngja komunikasioni nuk mund të ngrejë pasuritë natyrale, të ç’frytëzojë burimet e veta. Shqipëria qe neglizhuar në mënyrë të papërshkrueshme prej ekonomisë së keqe të regjimit të parë turk. Gjithë të ardhurat derdheshin në Stamboll, për përmirësimin dhe ngritjen e vendit nuk u bë asgjë.

Pa dyshim Austriakët fituan merita të mëdha për vendin me goditjen e rrugëve të kalueshme mirë në Shqipëri. Edhe prej popullit, i cili vetëm tash mund të çmojë vleftën e rrugëve të mira, njihet kjo pa rezerva. Natyrisht me gjithë se ato u goditën ekskluzivisht për qëllime strategjike, prap se prap ato formojnë një mbështetje të mirë për ndreqjen e rrugëve ekonomike. Kur goditja e rrugëve është detyra më e rëndësishme dhe e domosdoshme e qeverisë, për të cilat mjetet do të merren prej huasë që do të merret, goditja e trenave do t’u lihet tash kapitalit të shoqërive gjermane dhe Austro-Ungare. Në fillim vijnë trena në konsiderim, me të cilat përveç ç’frytëzimit të ekonomisë së vet vendit, do të lejojë transitin e mallrave për në Bullgari, Rumani, dhe Serbi.

Për shumë pjesë të këtyre hinterlandeve, Shqipëria me portet e saj është vendi më i përshtatshëm i transitit. Importi për në Shqipëri prej vitit 1910-1911 (për më parë nuk kemi shifra të sakta për shkak të trazirave ballkanike), është gati dyfishuar. Tranziti që u ngrit po atë vit (kryesisht për në Mal të Zi) në pesë fishin. Po ç’farë kapaciteti do të kishin në krahasim me Malin e Zi të vogël ato pjesë të mbëdha të Bullgarisë, Rumanisë dhe Serbisë, për të cilat portet shqiptare formojnë port-importimet më të përshtatëshme ekonomike-gjeografike! Ky komunikacion tregtar, qysh para lufte i çmuar në ma shumë se 60 Milion marka, do të marrë, mbas krijimit lidhjesh treni të përshtatshëm natyrisht për një hov më të madh.

Prej Gjermanisë Perëndimore dhe jugore me anën e Monakos, nëpër Bosnjë, Shqipëri dhe Greqinë Perëndimore, do të kalojë njëherë një rrugë komunikasioni i përbotshëm, e cila në përdorimin e rrugës detare; Greqia e jugut-Cyrenaikë- që formon për Gjermaninë Perëndimore dhe jugore gjeografikisht vijën më të mirë për Afrikën Lindore, Indi dhe Kinë, një rrugë komunikasioni botnuer të gradës së parë! Një nga masat në kryesore të qeverisë shqiptare duhet të jetë ngritja e bujqësisë dhe blegtorisë, të cilat të dyja ndodhen në një gjendje të keqe, por që premtojnë të bëhen një burim i fortë i mirëqënjes së vendit. Jo vetëm fushat pjellore në afërsi të anëdetit, të cilat pjesërisht kanë nevojë kanalizmi, dhe luginat e lumenjve, por edhe toka në vende të nalta do të japin pa dyshim prodhime të shumta në sajë të tokës pjellore dhe të klimës së përshtatëshme.

Pasiguria në vend dhe njëkohësisht modestia e shqiptarëve kishin për efekt, që të punohesh vetëm e vetëm një pjesë shumë e vogël e tokës pjellore urbane. Tokat shtetnore të mbëdha turke të papunuar mund të shërbenin për vendosjen e emigrantëve prej tokave që kanë mbetur deri tash nënë sundimin e huaj dhe që i përkasin kombësisë shqiptare. Me anën e një ligji duhesh  të detyroheshin pronarët e mëdhenj, ta pasuronin edhe ata tokën urbane deri në një masë të caktuar. Marrëdhaniet posedimore duhet të rregullohen, sigurohen dhe skjarohen me anën e Kadastrës.

Për t’ja njoftuar popullit avantazhet dhe frytet e mbëdha të nxjerruna të vendit pjellor me anën e një punimi modern dhe të arsyeshëm, është e nevojshme që një pjesë e pronave shtetnore të bëhen ferma model prej buqish Gjermanë dhe Austro-Ungarë.

Këto do të formonin njëkohësisht një burim të rëndësishëm t’ardhurash direkte për shtetin. Mjetet për këtë do të merreshin prej huasë, të cilat si kapital propagandistik do të qenë investuar kështu jashtëzakonisht mirë. Edhe ngritja e kultivimit të verës, ullinjve, trëndafilave, pambukut dhe duhanit, duhet përkrahet me gjithë fuqitë. Qysh tash eksportim vjetor i leshit të Shqipërisë qe afërsisht 500.000 kgr. prej fshikave (krimbave), të mëndafshit eksportohen në vit gati 50.000 kgr. Edhe këtu është e mundur një ngritje e konsiderueshme.

---- ----
----
----- ----
-----