Ballina Lajme nacionale Zbulohen dy “tradhtarët” e PS që nuk firmosën për shkarkimin e Ilir...

Zbulohen dy “tradhtarët” e PS që nuk firmosën për shkarkimin e Ilir Metës

26
SHPËRNDAJE

“Zoti Ilir Meta ka humbur kërkesën të qëndrojë në atë zyrë në pëlqimin tonë. Ai nuk reflektoi, ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë jo të denjë. Për sa kohë është President të mos na turpërojë më të gjithëve”.

Këto fjalë dolën nga goja e Taulant Ballës paraditen e sotme, teksa në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat njoftoi mbledhjen e 55 firmave për shkarkimin e Presidentit të Republikës pas vendimit të tij për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.

PS dhe qeveria e Edi Ramës po shkon kështu drejt shkarkimit të Kreut të Shtetit, të cilin e zgjodhën dhe e bekuan në postin në fjalë, por duket se largimin e Metës nuk e mbështesin të gjithë.

Të paktën këtë përshtypje të lë mungesa në listën e firmave të mbledhura në PS për shkarkimin e tij, pasi nuk shihet asgjëkundi emri i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe deputetit Anastas Angjeli.

Nëse rasti i Angjelit mund të jetë disi i justifikueshëm, për shkak se është pretendenti kryesor për postin e KLSH-së nga e majta dhe synon të ketë një raport miqësor me Presidentin, i cili ka në dorë “fatin” e tij, duket më i rëndë rasti i Xhafajt.

Ish-ministri i Brendshëm prej kohës kur u dorëhoq nga posti, duket se e ka prishur raportin e tij me kryeministrin Edi Rama dhe zërat flasin për një ftohje në nivelin zero, pasi mungon edhe komunikimi i thjeshtë mes tyre.

E teksa mes tij dhe Ramës është krijuar një hendek, s’thuhet e njëjta gjë për raportin me ish-socialistin e vjetër Ilir Meta.

Si dy ikona të PS-së ata e kanë ruajtur miqësinë dhe Xhafaj njihet gjerësisht për afrimitetin me Presidentin. Të dy jetojnë te rezidenca e “Kodrës së Diellit” dhe janë komshinj me njëri-tjetrin. Ata gjithashtu janë parë të konsumojnë kafen e mëngjesit së bashku në këtë zonë.

Në këtë linjë, duhet theksuar se do të shihet me interes votimi për shkarkimin e Ilir Metës në Kuvend, ku do të shfaqet edhe pozicionimi real i dyshes Xhafaj-Angjeli.

-----