Ballina Lajme nacionale Zbulohen deputetët socialistë “tradhëtarë”, që do të votojnë kundër shkarkimit të Ilir...

Zbulohen deputetët socialistë “tradhëtarë”, që do të votojnë kundër shkarkimit të Ilir Metës

9
SHPËRNDAJE

Seanca e fundit parlamentare për këtë legjislaturë është më 18 Korrik, por Partia Socialiste ka planifikuar një seancë të jashtëzakonshme më 22 korrik, dedikuar votimit të shkarkimit të presidentit, pasi Kuvendi të dëgjojë gjetjet e Komisionit të Posaçëm Hetimor.

Votimi për shkarkimin e Presidentit kërkon minimalisht 94 vota dhe zhvillohet i fshehtë. Për këtë votim të paprecedentë, përveç votave të opozitës së re, socialistët janë në test edhe me vetveten, pas zërave kundër dhe tradhëtarërve që janë krijuar brenda në parti.

Edhe pse votimi për ngritjen e Komisionit mori 101 vota pro, pritet që në votimin final të ketë surpriza.

Kush janë disa nga deputetët e PS që po flirtojnë me Ilir Metën?

Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Anastas Angjeli, Ditmir Bushati, Niko Peleshi dhe Arben Ahmetaj, janë disa nga senatorët e vjetër të PS, që mund të votojnë kundër shkarkimit të presidentit. Dhe natyrisht, arsyet janë për interesa

Pandeli Majko, një prej figurave më të vjetra të PS, i cili ka mbajtur shpesh qëndrime kritike për qeverinë, nuk e firmosi kërkesën e socialistëve drejtuar Kuvendit më 17 qershor për shkarkimin e Metës. Qëndrimi i Majkos, i cili kundërshtoi edhe mbajtjen e zgjedhjeve pa opozitën, duket se është një paralajmërin se do të votojë kundër shkarkimit të Ilir Metës. Majko është lakuar shpesh nga opozita si një figurë konsensuale për drejtimin e qeverisë tranzitore të kërkuar nga Basha dhe Kryemadhi.

Fatmir Xhafaj ka patur një ftohje me Ramën, që prej ditës që u shkarkua si ministër i Brendshëm. Ashtu si edhe Pandeli Majko, as Xhafaj, një prej ish-ministrave më të sulmuar nga opozita, nuk firmosi kërkesën e PS drejtuar Kuvendit për shkarkimin e Metës. Prej kohësh, njihet afrimiteti i Xhafajt me Metën, të cilët që të dy jetojnë tek Kodra e Diellit dhe shpesh janë parë duke pirë kafen e mëngjesit bashkë.

Me dyshim shihet edhe Anastas Angjeli, i cili është edhe i preferuari i Ilir Metës për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por a do ta tradhtojë partinë, për postin në KLSH? Angjeli e ka firmosur kërkesën drejtuar Kuvendit, por votimi i fshehtë edhe mund t’i ndryshojë mendjen.

Ditmir Bushati njihet për afërsinë me Ilir Metën, ç’ka u faktua me refuzimin e presidentit për dekretimin e Gent Cakajt si ministër, duke lënë në detyrë Bushatin. Që pas shkarkimit si ministër i jashtëm, Bushati nuk është më i preferuari i Ramës, madje edhe pse është i pari në listë për Shkodrën, kryeministri ia beson kryeqendrën e veriut Tom Doshit, gjatë fushatës së 30 qershorit. Madje në incidentet e fundit para zgjedhjeve në Vaun e Dejës, thuhej se Bushati po furnizonte me lajme opozitën, duke përdorur kanalet e komunikimit me Ilir Metën.

Niko Peleshi, është krejtësisht pa peshë në PS. Edhe pse ishte numri dy i qeverisë, që pas shkarkimit, Rama e ka menjanuar tërësisht nga skena politike. Krisja shihet në çdo aktivitet, ku kryeministri nuk e merr me vetë gjatë vizitave në Korçë. Kjo mund të sjellë një lloj hakmarrje me votë kundër presidentit nga ish-zv.kryeministri.

Arben Ahmetaj është emër i lakuar i qeverisë Rama, për arsye se ka pasur detyrën e rëndësishme të ministrit të Financave, por pas shkarkimit, ai ka shfaqur krisje me kryeministrin. Dështimi me borxhin publik, borxhin e ARMO, por edhe humbja e Kavajës, ku ai ishte deleguar në 2017, bëri që Rama ta spastrojë nga qeveria. Ahmetaj ka përfituar maksimalisht nga pushteti i socialistëve, por ai tashmë është i pakënaqur dhe hidhet në krahët e Metës.

Mbetet për tu parë në ditët në vijim nëse do të shtohet lista e tradhëtarëve socialistë në radhët e parlamentit.

Gazeta SHQIP

-----