Ballina Sport Ylli që nuk bie në krahun e futbollit, Fideli ngatërron “ujin dhe...

Ylli që nuk bie në krahun e futbollit, Fideli ngatërron “ujin dhe benzinën” për Superioren

12
SHPËRNDAJE

Ligji i sponsorizimit ishte kthyer në një telenovelë qesharake që nuk po i jepej kurrë një zgjidhje. Shumë klube kishin kthyer vëmendjen kryesore nga Qeveria për t’i dhënë dritën jeshile.

Mes tyre ishte edhe Flamurtari i Sinan Idrizit, që pavarësisht humbjeve radhazi si kurrë më parë në sezonin e shkuar ngushëlloheshin me faktin se nëse ligji i sponsorizimit do të realizohej brenda janarit të vitit aktual, atëherë mund të kishte shanse për mbijetesën në Superiore.

Por kjo nuk u bë mundur dhe peripecitë e klubeve tona nuk kishin fund. Për këtë arsye u mendua që të gjithë ekipet të bëheshin së bashku dhe të bojkotonin futbollin deri në momentin që Qeveria të plotësonte pikat e kërkuara, në mënyrë që t’i jepte një ndihmë të vërtetë sportit.

Kështu edhe ndodhi ndërsa si i deleguar i Qeverisë u vendos për Fidel Yllin. Në një zjarr të ndezur dhe ku roli kryesor është për shuarjen e tij, Fideli në vendin e ujit zgjedh që të hedh benzinë.

Është ende e pamundur që të deshifrohet gjendja aktuale dhe e vërteta e gjithë kësaj situate nisur edhe nga fjalët e Yllit që mund të kenë gjithçka, përveçse koherencës.

Në mëngjes zgjedh që të jap dritë pozitive duke thënë se gjithçka po fillon të shkojë drejt normalitetit, ndërsa në mbrëmje zgjedh të kritikojë rëndë klubet që po bojkotojnë.

Në mëngjes thuhet se kërcënimi nuk është gjuha që duhet përdorur, por ulja në tryezë, ndërsa në mbrëmje shprehet se shteti ka fuqi që të shkrijë një Federatë.

Në nisjen e emisionit “Shqipëria LIVE” do të shprehej se futbolli është me fat që si negociator është Fidel Ylli, pra vetë ai, pasi është me sportin dhe kundër interesave të Qeverisë që kërkon sa më pak shpenzime, ndërsa në fundin e emisionit e mbyll me: “Ju të sportit mos kujtoni se jeni pjesa më e mirë e Qeverisë. Nuk i vendosni dot limite ju Qeverisë”.

Pra shumë luhatje të mendimeve në mënyrë drastike, për të mos kuptuar asgjë nga situata dhe duke dështuar tërësisht në rolin e një negociatori, që nuk mund të flasë në gjuhën e ashpërsuar, por vetëm të dialogut.

Megjithatë një pjesë e thënë në emisionin “Shqipëria LIVE” mund të tregojë shumëçka të vërtetë për paraqitjen e Fidel Yllit në këtë çështje, një ish-sportisti që duket se është kthyer më politikan edhe se vetë politikanët e vjetër në këtë zanat.

“Unë me postin tim politik edhe pak vite jam dhe do largohem, por në sport do të jem për gjithë jetën”. Pra mesa duket një karrige po lëkundet në postin politik dhe sporti mund t’i japi një dorë këtë herë. Ndonjëherë duhet edhe të sakrifikosh… /Sport Ekspres/

-----