Ballina Lajme nacionale Xhamajka i prish festën Kosovës: Lajmi i Hashim Thaçit, i pavërtetë

Xhamajka i prish festën Kosovës: Lajmi i Hashim Thaçit, i pavërtetë

26
SHPËRNDAJE

Xhamajka mohon njohjen e Kosovës: Lajmi nuk është i vërtetë!

Ministrja e punëve të Jashtme të Xhamajkës e ka mohuar se vendi i saj ka njohur Kosovën. Në një postim ne Twitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili e falenderonte  Xhamajkën për njohje, Kamina J Smith shkruan se vendi i saj, në fakt, nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar ajo. Mbrëmjen e një dite më parë, lajmin për këtë njohje e dha presidenti Hashim Thaçi. Ai nënvizonte se mes të tjerash, njohja e parë në dy vjet ishte dhe rrjedhojë e kontributit të madh të kongresmenit amerikan Eliot Engel. “Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. E di se ky është një rezultat i punës së madhe dhe lobimeve për vite me radhë, përfshirë edhe Eliot Engelin. Punë e mirë.

Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni”, shkroi Thaçi në Twitter. I fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Barbadosi në shkurtin e vitit 2018, i cili u bë asokohe vendi i 116-të që njihte shtetin e ri evropian. Autoritetet serbe thonë se përveç se i kanë ndalur njohjet kanë arritur të sigurojnë tërheqjen e saj nga 16 vende të botës. Kosova të hënën shënoi përvjetorin e pavarësisë së vet të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet e paqes mes Kosovës e Serbisë, ambasadori Richard Grennell, gjatë vizitës së fundit në Prishtinë dhe Beograd bëri thirrje që Kosova të heqë tarifat ndërsa Serbia të ndalë fushatën kundër shtetësisë së Kosovës.

-----