Ballina Lajme nacionale VV reagon pas takimit Arifi – Gjuriq: Nuk dimë çka u diskutua...

VV reagon pas takimit Arifi – Gjuriq: Nuk dimë çka u diskutua në atë takim, nuk u njoftua as populli as parlamenti

19
SHPËRNDAJE

Takimi në Berlin në mes të Avni Arifit dhe Marko Gjuriqit ngjalli edhe reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky subjekt politik ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës morën vesh prej informacioneve të publikuara nga mediat, e më vonë të konfirmuara nga Vuçiqi, se në Berlin janë mbajtur takime të fshehta mes përfaqësuesit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit dhe të dërguarit të Vuçiqit, Marko Gjuriq.

“Qytetarët e Kosovës morën vesh prej informacioneve të publikuara nga mediat e më vonë të konfirmuara nga Vuçiqi, se në Berlin janë mbajtur takime të fshehta mes përfaqësuesit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit, dhe të dërguarit të Vuçiqit, Marko Gjuriq”, thotë LVV.

Komunikata e plotë e LVV-së:

Takimi i fshehtë Arifi – Gjuriq, vazhdim i avazit antikombëtar

Qytetarët e Kosovës morën vesh prej informacioneve të publikuara nga mediat e më vonë të konfirmuara nga Vuçiqi, se në Berlin janë mbajtur takime të fshehta mes përfaqësuesit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifit, dhe të dërguarit të Vuçiqit, Marko Gjuriq.

Haradinaj, është ai i cili fillimisht sapo u bë kryeministër, në mënyrë antikushtetuese ia la dialogun Thaçit. Kësisoj ai ia hapi rrugën projektit antikombëtar, atij të copëtimit të Kosovës. E tash, kur projektin e copëtimit të Kosovës e ndalëm, përmes protestave masive si dhe duke e diskredituar ndërkombëtarisht, kryeministri dërgon këshilltarin e tij në takime të fshehta. Ky kryeministër i cili nuk pranoi të marrë haptazi përgjegjësitë e tij duke ndalur rrezikun që po sillte Thaçi, tash, po shkon fshehurazi për të ringjallur projekte të marra fund, siç ishte “Zajednica”.

Ne nuk e dimë ç’mund të jetë folur në atë takim, sepse askush nuk e njoftoi as popullin e Kosovës e as parlamentin për këtë takim. Por, një gjë është e sigurt, nuk do të ketë kurrë dialog pa i ndjekur katër hapat që e bëjnë dialogun legjitim e demokratik, dhe ato janë:

1 – Shqyrtimi i marrëveshjeve të deritashme dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017 2 – Përcaktimi paraprak i qëllimeve të Kosovës në këtë dialog që bëhen kërkesa ndaj Serbisë.

Pas këtyre, zgjedhje të reja dhe legjitimim të institucioneve demokratike që e drejtojnë dialogun. Dhe, dy hapa tjerë pastaj:

3 – Përgatitje e platformës ku përcaktohen parimet, temat e panegociueshme e ato të ngutshme për t’u trajtuar në dialog. 4 – Formimi i një ekipi negociator gjithëpërfshirës, me udhëheqje kredibile e strategji.

Këto përpjekje për të gjetur rrugë të fshehta, nuk i japin kredibilitet dialogut të diskredituar. Me këtë mungesë transparence, Haradinaj po tregon se i qaset dialogut me mentalitet të njëjtë si të Thaçit.

-----