Ballina Lajme nacionale VV reagon pas raportit zviceran: Drejtësi për Astrit Deharin, hetimet të nisin...

VV reagon pas raportit zviceran: Drejtësi për Astrit Deharin, hetimet të nisin sa më parë

36
SHPËRNDAJE

Reagon Lëvizja Vetëvendosje pas ekspertizës zvicerane për rastin e Astrit Deharit.

VV përmes një komunikate për media, thotë se prokuroria e ka obligim ligjor që t’i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Sipas Vetëvendosjes, duhen hetuar edhe ata që dezinformuan opinionin se Astriti u vetëvra.

Qytetarët, sipas Vetëvendosjes nuk janë të qetë deri të vihet drejtësia në vend për Astrit Deharin.

Njoftimi i plotë:

Astrit Dehari është vrarë për shkak se ka qenë aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Këtë e ka thënë edhe raporti i ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Shqipëria e Mbretëria e Bashkuar, këtë e thotë tani edhe raporti i ekspertëve të Qendrës Universitare Romande për Mjekësi Ligjore (CURML) në Lozanë të Zvicrës, këtë e ka thënë vetë trupi i Astrit Deharit.

Prokuroria e ka obligim ligjor dhe njerëzor që t’i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësit e këtij krimi monstruoz, që e privoi aktivistin 26 vjeçar Astrit Deharin nga jeta, të vihen të gjithë para drejtësisë. Drejtësia nuk duhet të ndalet para fajtorëve, sado lart që mund të ndodhen ata në hierarkinë e pushtetit. Po ashtu, duhen hetuar edhe ata që përkundër dhimbjes së familjes, shokëve dhe mbarë opinionit publik, u bënë mjet i dezinformimit menjëherë pas vrasjes së Astritit në burg. Cili ishte qëllimi i atyre që me çdo mjet, edhe duke gënjyer e duke i ndërruar fjalët, donin ta mbulonin krimin si vetëvrasje?

Znj. Xhemile Dehari, znj. Arta Boshtraj Dehari dhe z. Avni Dehari së bashku me avokatin z. Tomë Gashi kërkojnë që hetimet të fillojnë sa më parë. Ata falënderuan të gjithë ata që ndihmuan për informim të drejtë mbi rastin, dhe ata që mbajtën besimin e drejtë se kjo është vrasje tërësisht politike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! poashtu kërkon që hetimet të fillojnë sa më parë, të pavarura, të drejta dhe profesionale. Qytetarët e Republikës së Kosovës, e gjithë shoqëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen nuk janë të qetë deri sa të vihet drejtësia për Astritin.

-----