Ballina Lajme nacionale Vuҫiq tha se Ejupi është i përfshirë në rastin e Ivanoviqit, prokuroria...

Vuҫiq tha se Ejupi është i përfshirë në rastin e Ivanoviqit, prokuroria e fton të ofrojë fakte

63
SHPËRNDAJE

Vuҫiq tha se Ejupi është i përfshirë në rastin e Ivanoviqit, prokuroria e fton të ofrojë fakte.

Aleksandër Vuҫiq tha se Ejupi është i përfshirë në privimin nga jeta të Ivanoviqit.

Javën që po e lëmë pas, Aleksandër Vuçiq tha se i di personat e dyshuar që mund ta kenë privuar nga jeta Oliver Ivanoviqin. E përmendi Florim Ejupin.

Por prokuroria kosovare i ka demantuar deklaratat e presidentit serb për Ejupin.

Madje thonë se asnjëri nga dhjetëra dëshmitarët e dëgjuar për rastin ‘Ivanoviq’, nuk e ka përmendur emrin e kosovarit.

Prokuroria Speciale e ka ftuar Vuçiqin që t’ia dorëzojë faktet lidhur me rastin e ndodhur në janar të vitit 2018.

Organet e hetuesisë kosovare edhe një herë i kanë demantuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Kësaj radhe, ato e bënë një gjë të tillë kur ai tha se politikanin serb në Kosovë po dyshohet ta ketë privuar nga jeta kosovari nga Podujeva, Florim Ejupi.

Për prokurorinë kosovare, e cila po i vazhdon hetimet rreth vrasjes së Ivanoviqit, në asnjërën deklaratë të asnjë dëshmitari nuk është përmendur emri i Ejupit për rastin e politikanit serb.

Madje nga prokuroria po deklarojnë se Ejupi asnjëherë nuk ka qenë pjesë e hetimeve nga ana e palës kosovare për rastin e Ivanoviqit.

Kështu ka deklaruar gjatë ditës së diel për Express prokurori special në Kosovë që po merret me këtë rast, Sylë Hoxha.

“Ne jemi duke i vazhduar hetimet rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, deri më tani, askund nëpër shkresa as nga policia e as nga dëshmitarët, askund, nuk ka figuruar emri i Ejupit e as i ndonjë shqiptari tjetër si i dyshuar për këtë rast”, ka deklaruar Hoxha.

Tutje, ai është shprehur se nuk e di se nga Vuçiqi ka marrë informata dhe se si e ka përmendur emrin e Ejupit si i dyshuar për këtë rast.

“Ne jemi të habitur nga këto deklarata. Nëse dikush ka informacione e prova për këtë rast, ne e ftojmë që ato t’ia dorëzojë prokurorisë”, ka deklaruar Hoxha, duke thënë se deri më tani, emri i asnjë shqiptari nuk është pjesë e hetimeve për rastin e presidentit serb, Oliver Ivanoviqit.

Tutje, prokurori Hoxha ka deklaruar se hetimet rreth zbardhjes së eliminimit të Ivanoviqit po i vazhdon prokuroria kosovare.

Prokurori special deklaron se ende janë në fazën e grumbullimit të provave.

“Jemi ende në fazën e grumbullimit të provave. Hetimet po i vazhdojmë”, thotë Syla.

E ndaj deklaratave të Vuçiqit ka reaguar edhe ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, duke thënë se deklarata e presidentit serb është “tërësisht politike, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë”.

“Është për keqardhje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën, kurdo që ajo afrohet për të dalë në pah”, thuhet në deklaratë.

Por, përse e ndërlidhi Ejupin presidenti serb, Vuciq, si pjesë e rastit të politikanit Oliver Ivanoviq?

Ejupi ishte prangosur nga policia e UNMIK-ut në atëkohë derisa ishte arratisur nga qelia ushtarake në kampin e Bondsteelit, për t’u arrestuar përsëri në Tiranë, ndërkaq, në vitin 2009 ai u lirua në mungesë të provave.

Florim Ejupi ishte dënuar me 40 vjet ndalim, derisa është liruar nga Dubrava pas tetë vjetëve që kishte qëndruar në qeli.

Kolegji i Gjykatës Supreme, në përbërje të të cilit ishin tre gjykatës ndërkombëtarë dhe dy vendorë, ka urdhëruar lirimin e Florim Ejupit në mungesë provash.

“Kolegji i Gjyqtarëve nga Gjykate Supreme, i përbërë prej pesë gjykatësve – tre gjykatësve nga EULEX-i dhe dy gjykatësve vendorë – urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga Dubrava pasditen e datës 12 mars. Ai u lirua nga çdo akuzë në mungesë provash”, shkruhej në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga EULEX-i në vitin 2009.

Një ditë pas lirimit nga burgu, Ejupi pati thënë se ndihej mirë që drejtësia është vënë në vend.

“Në Gjykatën Supreme më liruan nga të gjitha akuzat dhe unë jam i lirë tani. Gjithmonë e kam ditur që do të lirohem, pasi ai dënim ka qenë i padrejtë, me dëshmitarë të montuar dhe i gjithë rasti ka qenë i montuar”, kishte thënë ai.

Ejupi është i martuar dhe ka fëmijë derisa pas lirimit nga prangat kishte deklaruar se do të kërkonte kompensim për vitet e kaluara në qeli.

I njëjti tash është 40 vjet, derisa vjen nga fshati Sekiraqë i Komunës së Podujevës.

Ejupi ishte dënuar për 11 vrasje, dhjetëra të plagosur, për terrorizëm, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, diskriminim racial dhe mbajtje të paligjshme të eksplozivit.

Sipas presidentit serb, Florim Ejupi pas kryerjes së eliminimit ka ikur nga Kosova përmes aeroportit të Rinasit.

Ai përmendi, gjithashtu, një emër tjetër lidhur me ekzekutimin e Ivanoviqit.

Bëhet fjalë për Edmond Zekaj, i cili e ndërroi emrin e tij në Lira Zekaj dhe i cili ishte në Mitrovicë në ditën kur u ekzekutua Ivanoviqi.

Sipas Vuçiqit ai tashmë është duke u strehuar në Gjermani.

Florimi ishte prangosur edhe në vitin 2014 pas dëshmisë së të mbyllurit Shkumbin Mehmeti, që i ngarkonte atë dhe Bajram Kiçmarin për vrasjen e dy policëve: një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës.

Florim Ejupi ishte liruar nga akuza për rastin e dyfishtë duke u lënë i lirë.

Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Ai ka qenë kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me rastin e Ivanoviqit, ndërsa Radojçiq, i cili është kërkuar po ashtu, nuk është gjetur në banesën e tij.

-----