
Shkencetari më i lartë i Iranit për programin bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh-Mahavadi, është vrarë në afërsi të Teheranit.
Konfirmimi erdhi nga Ministria e Mbrojtjes e këtij shtetit. Fakhrizadeh ndërroi jetë në spital pas një atentati në vendin e quajtur Absard, ku u sulmua me armë zjarri nga disa persona të paidentifikuar. Disa dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar dhe një shpërthim.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, dënoi vrasjen, të cilën e konsideroi “një akt të terrorit shtetëror” dhe drejtoi gishtin nga Izraeli.
“Terroristët vranë një shkencëtar të shquar iranian. Kjo burracakëri, me tregues seriozë të rolit izraelit tregon luftën e dëshpëruar të autorëve.
Irani i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht BE-së që t’i japin fund standardeve të tyre të dyfishta të turpshme dhe të dënojnë këtë akt të terrorit shtetëror”, u shpreh ai.
Autoritetet iraniane paralajmëruan një hakmarrje shumë të ashpër ndaj autorëve. Ngjarja dhe akuzat e ministrit të jashtëm të Teheranit nuk janë komentuar nga Izraeli. Agjencitë perëndimore të inteligjencës e kanë përcaktuar Fakhrizadeh si personin kryesor që qëndron prapa programit sekret të armëve bërthamore të Iranit.
Shpeshherë është përshkruar si “babai i bombave iraniane” nga diplomatët. Lajmi për vrasjen vjen mes shqetësimeve të reja për sasinë e shtuar të uraniumit të pasuruar që Irani po prodhon.
Uraniumi i pasuruar është një komponent kyç si për prodhimin e lejuar të energjisë bërthamore ashtu edhe për armët nukleare ushtarake.