Ballina Lajme nacionale Vrau shoferin e ish-ministrit, lirohet nga burgu ‘gjenerali’ Nehat Kulla (FOTO)

Vrau shoferin e ish-ministrit, lirohet nga burgu ‘gjenerali’ Nehat Kulla (FOTO)

48
SHPËRNDAJE

Nehat Kulla, i njohur ndryshe edhe si “gjenerali” ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga burgu. Ai vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës, ndërsa pritet që të lërë qelin sot rreth orës 18:00.

Kulla ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ ministrit të Arsimit, Halit Shamata.

Në vitet 1997-1998 në Tiranë ka qenë aktive banda e njohur me emrin e tij.

Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.

Në moshë të re Kulla u arrestua gjatë periudhës së komunizmit për plagosje me thikë dhe dënohet nga Gjykata e Tiranës

Në dhjetor të vitit 1996 dënohet me 11 vjet burg për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri, njëri prej të cilëve me detyrë polic pranë komisariatit 4 në Tiranë.

Në vitin 1997 arratiset nga burgu, por arrestohet më 12 Shtator 1999 në aksin rrugor Peqin-Elbasan. Në makinën e Kullës policia gjeti disa armë, të cilat hodhën dhe akuzën e parë ndaj tij. Më pas, gjatë kontrollit në banesë, u gjet një arsenal i tërë armësh të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat Kulla tha në proces se i kishte ruajtur si pronë e Halil Haklajt. Kulla gjatë shqyrtimit gjyqësor tha se nuk ishte vrasës, por kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit hallexhinj, të cilët i kërkonin ndihmë. Prokurori, Bujar Hoxha, i deklaroi në atë kohë gjykatës se Kulla kishte krijuar komisariatin numër 5 në Tiranë dhe i bënte karshillëk shtetit. Këtë akuzë gjykata e hodhi poshtë, pasi nuk kishte prova bindëse. Poshtë u hodhën edhe disa prova të tjera, të cilat e bënin fajtor Kullën për vrasje. Gjykata rrëzoi si të pabesueshme dëshminë e dhënë nga motra e Fatmir Thaçit, për vrasjen e të cilit është akuzuar Kulla, me pretendimin se dëshmitarja ishte e dënuar në një burg të Greqisë. Gjykata e Apelit e zbuti dënimin ndaj Kullës nga 12 vjet burg në 2 vjet e gjysmë. Ndërkohë që, gjyqtari i Shkallës së Parë, Fehmi Petku, e liroi Kullën për sjellje të mirë 30 ditë përpara se të përfundonte vendimi i Apelit.

Pas lirimit, u duke se gjenerali tashmë 50-vjeçar do të rikthehej në jetën e qetë pranë familjes. Por, vetëm pak muaj më pas në vitin 2001, ai rikthehet në qeli nën akuzën e rrahjes së një grupi gazetarësh dhe dënohet me 5 vjet burg, por lirohet sërish për sjellje të mirë.

Në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet të të djathtëve, ai riarrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm Halit Shamata.