Ballina Lajme nacionale Vrasja e Bilalëve te pragu i shtëpisë, si u projektua 10 ditë...

Vrasja e Bilalëve te pragu i shtëpisë, si u projektua 10 ditë para në banesën e fisit Lici?!

42
SHPËRNDAJE

Një person i gjatë, i dobët dhe me mjekër që besohet se është Ibrahim Lici, ka qëlluar mbi 21 herë në drejtim të vëllezërve Brahim dhe Astrit Bilali, duke i lënë të vdekur në vend me mbi 11 plagë në trup secilin.

Autori kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër, i dyshuari Ibrahim Lici, në ikje e sipër është parë nga një banor i zonës, me inicialet S.B, i cili ka treguar në polici të dhëna të vlefshme mbi veprimet që kanë kryer autorët e vrasjes dhe largimin e tyre me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Arsen Stojku dhe Myslim Rama sipas prokurorisë janë të implikuar si bashkautorë në ngjarjen e datës 30 mars 2019, ku janë vrarë me armë zjarri Astrit Bilali dhe Brahim Bilali.

Automjeti që shërbeu për largimin e autorëve të krimit, ishte marrë me qira në Vaun e Dejës dhe më konkretisht tek personi Prengë Perdeda. Personi që ka marrë me qira mjetin tip “Golf 4”, gjashtë ditë para vrasjes quhet Denis Brahimi, që më pas ja ka dhënë në përdorim, të arrestuarit Arsen Stojku. Ky person sipas prokurorisë para vrasjes dhe pas vrasjes, ka pranuar në polici se kishte qenë disa herë në shtëpinë e Mustafa Licit, ku është takuar me anëtarë të familjes Lici.

Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici, dhe ka shkuar në banesën e tyre si kushëri. Vizita ka ndodhur 10 ditë para vrasjes së dy vëllezërve dhe transportues i Stojkut, ka qenë i arrestuari tjetër Myslim Rama. Ky i fundit vetë ka qëndruar jashtë ndërsa Arseni është futur brenda.

Ka pritur për disa kohë Arsenin dhe më pas i ka rënë portës, ku te dera ka dalë Ibrahim Lici, duke i thënë të hynte brenda, por Myslimi nuk ka pranuar duke i thënë që t’i thoshte Arsenit të mos vonohej pasi kishte punë dhe duhet të largohej. Prokuroria dyshon se pikërisht në këtë takim është përcaktuar dhe plani se si duhet të ekzekutoheshin dy vëllezërit Bilali në Shkodër.

Dhe pikërisht kështu ka ndodhur pasi në datën 30 mars 2019 është qëlluar me disa breshëri automatik në drejtim të vëllezërve Bilali. Megjithëse Astrit Bilali ka qëlluar disa herë me një pistoletë tip “Zastava” që mbante me vete, sërish nuk ka mundur ti ndalojë autorët, të cilët i kanë bërë shoshë dy vëllezërit Bilali.

Gjatë këqyrjes së kufomave, rezulton se në trupin e viktimës Brahim Bilali, konstatohen 11 plagë hyrëse dhe dalëse të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa në trupin e viktimës Astrit Bilali konstatohen plagë hyrëse dhe dalëse të shkaktuara nga armë zjarri.

Nga këqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, të instaluara përreth ngjarjes, rezulton se gjatë lëvizjes së automjetit “Mercedes Benz”,me targa AA 369 RV, me të cilin autorët kanë lëvizur para dhe pas ngjarjes, në lagjen “Guerile” Shkodër, nga prapa tij konstatohet duke lëvizur një automjet tip “Volksëagen” Golf 4, ngjyrë e zezë, me targa AA 677 EK, me të cilin autorët pas djegies së mjetit “Mercedes Benz” janë larguar me shpejtësi. “Benz”, model-250, ngjyrë e bardhë, me targa AA 164 MV, rezultoi i vjedhur dhe ishte në pronësi të Abdyl Kurti, i cili ka bërë kallëzim penal në datën 25 janar 2019. Ndërsa targat AA 369 RV i përkasin automjetit të markës “Volkswagen-Polo”, ngjyrë gri e errët, në pronësi të Eljon Ostreni, banues në Tiranë. /Shqiptarja.com /

-----