

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon-Taubadel, e mirëpriti votimin e qeverisë së re të Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin, por ajo ngriti shqetësimin se deputetëve në parlament iu bë presion.
Në një deklaratë për media, ajo ka thënë se shpreson që qeveria e re do të mund të zbatojë reforma të reja dhe të “punojë për një Kosovë më të mirë”. Megjithatë, Cramon-Taubadel u shpreh se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë qenë “nën presion të madh” nga udhëheqësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti Hashim Thaçi për të votuar pro qeverisë së re.
“Disa burime thanë se presidenti ka vizituar personalisht disa deputetë të kuvendit, pa votat e të cilëve nuk do të mund të zgjidhej qeveria. Nëse këto pretendime janë të vërteta, ky është një sinjal i keq që tregon se roli i parlamentit është minuar, e që një gjë e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutë. Si një pjesëtare e parlamentit, për mua është e papranueshme që anëtarëve të parlamentit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, t’iu bëhet presion”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se është bazë e demokracisë që deputetët të votojnë në bazë të vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për qeverinë e re, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala deklaroi se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë kishte takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeverinë Hoti u votua me 61 vota dhe pikërisht vota e deputetit Shala u konsiderua vendimtare për krijimin e ekzekutivit të ri.