
Vllaznia ndalet në shtëpi nga Kastrioti, në një ndeshje të luftuar që u mbyll në barazim pa gola dhe pritet që të ketë polemika për një penallti të mohuar për krutanët. Ekipi i Brdaric tani numëron 10 pikë më shumë se Partizani e Teuta, që nesër përballen mes tyre në stadiumin “Niko Dovana”.
Shkodranët u hodhën në sulm që në fillim, duke ia dalë ta çajnë mbrojtjen e organizuar të Kastriotit. Imeri ishte ai që provoi i pari, por Hidi i tha “jo” golit të kuqebluve. Më pas Haris Dilaver kishte mundësinë më të mirë për të shënuar, por pak metra me portën u ndal nga portieri i krutanëve.
Kastrioti nga ana tjetër rrezikoi me Rezin dhe Moraes, ndërsa në minutën e 30-të kërkuan edhe një penallti për një shtyrje të Adilit ndaj Devid. Arbitri Kridens Meta, edhe pse ndodhej shumë pranë, nuk mendoi ashtu.
0-0 pjesa e parë, Vllaznia në të dytën u mundua shumë të organizohej dhe të shënonte golin e epërsisë. Kastrioti mbrohej mirë, pasi një pikë në transfertë me kryesuesit e kampionatit kishte shumë vlerë për ta.
Në fund Neziri u ndëshkua me karton të kuq, por ishte shumë vonë dhe Vllaznia nuk përfitoi dhe iu desh të pajtohej me rezultatin 0-0.