Ballina Shëndetësi Vlerat e specave, si ndryshojnë sipas ngjyrave

Vlerat e specave, si ndryshojnë sipas ngjyrave

52
SHPËRNDAJE

Specat janë burimi më i mirë i Vitaminës C, por kur vjen puna te ngjyrat, ato ndryshojnë. Përse specat jeshilë janë më të lirë se specat me ngjyrë tjetër? Specat jeshilë janë më pak të pjekur se të tjerët, ato mblidhen më shpejt se sa koha e duhur e pjekjes. Specat e tjerë kërkojnë më shumë kohë të marrin ngjyrën, e si rrjedhojë duan më shumë shërbim, çka i bën ata më të shtrenjtë.

Çmimet variojnë sipas ngjyrave, aktualisht në treg të vetmet speca të vendit janë ata jeshilë të Divjakës. Ndërsa specat e kuq janë import nga Greqia dhe Turqia dhe kushtojnë më shtrenjtë. A e dini kush është ndryshimi mes specit të kuq, të verdhë dhe jeshil? Specat me ngjyrë të ndezur kushtojnë më shtrenjtë. E vërteta është që specat jeshilë janë varianti i papjekur i specave me ngjyra më të ndezura.

Thënë shkurt, speci jeshil është i papjekur mirë. Shija e tij është pak më e hidhur dhe shpesh sipas disa studimeve mund të shkaktojë probleme me tretjen. Problemet me tretjen vijnë sepse specat janë të pabërë plotësisht. Kur hamë fruta apo perime të papjekura, stomaku e ka të vështirë t’i tresë ato.

Cilët speca kanë më shumë vlera ushqimore?
Të gjithë specat janë një burim i jashtëzakonshëm i vitaminës A dhe C. Por të dhënat tregojnë se specat e kuq përmbajnë 11 herë më shumë beta karoten se specat jeshilë. Specat e verdhë nga ana tjetër kanë më shumë vitaminë C se specat e gjelbër por më pak vitaminë A dhe më pak beta-karoten. Specat e gjelbër kanë shumë kalium që rregullon qarkullimin e gjakut dhe mbron muskujt. Specat e kuq që janë edhe më të pjekurit kanë shije më të ëmbël dhe kanë më shumë antioksidantë të vlefshëm.

Vlerat shëndetësore të specit
Speci i ëmbël dhe ai djegës janë një aleat i rëndësishëm në përpjekjet e gjithkujt për të një peshë të ekuilibruar. Kapsaicina, një substancë që i bën specat djegës, fuqizon metabolizmin dhe pengon formimin e plotë të qelizave dhjamore. Edhe specat e ëmbël kanë në përmbajtjen e tyre një element të njohur si CH-19. Ai i ngjan kapsaicinës dhe ka të njëjtin efekt kundër qelizave dhjamore përveç ndjesisë djegëse.

Mban nën kontroll kolesterolin
Kapsaicina që gjendet tek specat djegës ndihmon në uljen e kolesterolit në gjak. Sa më djegës speci aq më shumë kapsaicinë ka e si rrjedhojë aq më efektive është çdo përpjekje për të ulur kolesterolin.

Lufton artritin
Nëse konsumon gjysëm filxhani çaji me speca të grirë (të kuq ose të verdhë) ke marrë dyfishin e dozës ditore me vitaminë C. Njerëzit që kanë doza të ulëta të kësaj vitamine në organizmin e tyre janë trefish të rrezikuar nga artriti.

I bën mirë zemrës
Një filxhan çaji me speca të gjatë përmban 36% të dozës ditore të vitaminës B6 dhe 10 përqind folat. Specat e kuq dhe specat e verdhë kanë respektivisht 35% dhe 20% të dozës ditore të vitaminës B6 dhe 7% dhe 10% të dozës ditore të folatit. Sa më i pasur të jetë ushqimi juaj me këto përbërës, aq më i ulët është rreziku për infarktin, sëmundjet koronare dhe të zemrës në përgjithësi. Specat si edhe perimet e tjera kanë më shumë vlera ushqimore kur konsumohen të pagatuar. Tani që e dini ndryshimin mes specit të kuq, të verdhë dhe jeshil, mos hezitoni t’i bëni specat pjesë së ushqimit tuaj./AgroWeb

-----