Ballina Lajme nacionale Vetëvendosje akuzon Nismën për presion ndaj KQZ-së, thotë se do ta mbrojë...

Vetëvendosje akuzon Nismën për presion ndaj KQZ-së, thotë se do ta mbrojë votën gjatë rinumërimit

11
SHPËRNDAJE

Vetëvendosja thotë se do ta mbrojë votën gjatë rinumërimit, akuzon Nismën për presion ndaj KQZ-së.

Pas fillimit të procesit të rinumërimit të 1 mijë e 428 kutive të votimit, janë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV kanë thënë se vëzhguesit dhe përfaqësuesit e tyre do ta mbrojnë votën edhe gjatë këtij procesi, derisa kanë akuzuar partinë e Fatmir Limajt për presion ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor.

Përmes një postimi në Facebook, vendimet e fundit lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit, i ka cilësuar politike. Në këtë parti deklarojnë se janë duke mbledhur fakte e prova të ndërhyrjes politike në marrjen e këtyre vendimeve dhe se zyrtarët e përfshirë do të përgjigjen para drejtësisë.

“Është evidente, që zyrtarë e gjyqtarë të institucioneve janë ndikuar politikisht në marrjen e vendimeve të fundit, me synim ndryshimin në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbledhur fakte e prova të ndërhyrjes politike në marrjen e këtyre vendimeve dhe ne do të sigurohemi që të gjithë këta zyrtarë të përfshirë në këto ndërhyrje për vendime që do të duhej të ishin të bazuara në ligj e Kushtetutë, do të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, dje Gjykata Supreme ka refuzuar të gjitha ankesat, përfshirë këtu të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, KDTP-së, PLE-së, PDA-së e PDS-së në PZAP, i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia.

Kësisoj, Nisma Socialdemokrate pritet të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve veçse ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Pritet që rinumërimi e certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zgjasë deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë. /GazetaExpress/

Komunikata e plotë:

KQZ ka filluar rinumërimin e 1428 kutive të votimit, që përbëjnë rreth 60% të votave të përgjithshme. Rinumërimi duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në përputhje me ligjin dhe procedurat. Votuesit kanë shprehur vullnetin e tyre, dhe se derisa nuk përfundon rinumërimi i të gjitha kutive deri në votën e fundit, rezultati mbetet ai që është shpallur nga KQZ-ja.

Lëvizja VETËVENDOSJE! po e përcjellë me vëmendje këtë proces, si dhe përmes vëzhguesve dhe përfaqësuesve tanë, do të ndjekë nga afër cdo fazë të rinumërimit deri në përmbyllje të procesit. Ashtu siç kemi qëndruar në mbrojtje të votës e vullnetit të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve e në fazat e mëvonshme, nuk do të lejojmë që ky vullnet të dëmtohet as në rinumërim.

Është evidente, që zyrtarë e gjyqtarë të institucioneve janë ndikuar politikisht në marrjen e vendimeve të fundit, me synim ndryshimin në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbledhur fakte e prova të ndërhyrjes politike në marrjen e këtyre vendimeve dhe ne do të sigurohemi që të gjithë këta zyrtarë të përfshirë në këto ndërhyrje për vendime që do të duhej të ishin të bazuara në ligj e Kushtetutë, do të përgjigjen para drejtësisë.

Poashtu, insinuatat dhe presionet nga subjekte partiake që qytetarët i kanë lënë jashtë përfaqësimit në Kuvend, në një kohë kur po rinumërohen mbi gjysma e votave të përgjithshme, kanë për synim ndikimin në rinumërim dhe krijimin e faktit të kryer të përfaqësimit në Kuvend. Ftojmë KQZ-në që në përputhje me përgjegjësitë që ka, të garantojë numërim të sakt të secilës votë, si dhe mos të bie pre e presioneve të tilla mbi numëruesit dhe stafin përgjegjës. Rezultati zgjedhor dhe vullneti i votuesve nuk mund të ndryshohet as me vendime administrative, e as me presion në opinionin publik nga subjekte të caktuara.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është shprehje e qartë për ndryshim. Lëvizja VETËVENDOSJE! garanton që ky vullnet do të përmbushet në Qeverinë e ardhshme.