Ballina Lajme nacionale Vërtetohet aktakuza për rastin “Veteranët”

Vërtetohet aktakuza për rastin “Veteranët”

32
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të rastit “Veteranët”, duke i cilësuar si të pabazuara.

Përmes një njoftimi për medie, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës mbetet në fuqi, pra vërteton aktakuën e ngritur ndaj tyre.

Sipas këtij njoftimi, nuk është pranuar ankesa për Agim Çekun, Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahën, Shkumbin Demaliajn, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Smajl Elezajn dhe Fadil Shurdhajn.

“Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hedhet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par. 1 nën par. 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Fadil Shurdhaj.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68,153,533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

---- ----
----
----- ----
-----