Ballina Lajme nacionale Vendimtare java e ardhshme për formimin e Qeverisë së re

Vendimtare java e ardhshme për formimin e Qeverisë së re

6
SHPËRNDAJE

Java e ardhshme, vendimtare për formimin e Qeverisë së re.

Lidhjes Demokratike nuk i ka kaluar pezmi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse votoi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se “vendimin e njëanshëm” të 26 dhjetorit do ta shqyrtojnë në strukturat e partisë, të cilat do të mblidhen të hënën.

Sipas tyre, aty do të vendoset edhe për rinisjen eventuale të negociatave me Vetëvendosjen dhe formatin e tyre. LDK-ja po ashtu thotë se topi është në anën e subjektit fitues për formimin e Qeverisë, teksa u janë përgjigjur deklaratave të Kurtit se datën e formimit të Qeverisë ia përcakton LDK-ja e jo presidenti Thaçi, të cilit ia refuzoi tri ftesat e para për takim. Megjithatë, Kurti dhe Thaçi janë dakorduar që takimi konsultues të mbahet të hënën në ora 15:00, shkruan Koha Ditore.

Të njëjtën ditë kur mandatari për krijimin e Qeverisë pritet t’i shkojë në takim Hashim Thaçit për konsultë, Lidhja Demokratike do t’i mbledhë strukturat e partisë për të vendosur rreth takimeve eventuale me Vetëvendosjen dhe formatin e negociatave. Sipas njoftimit të LDK-së, të hënën në orën 09:00, në selinë e LDK-së, mbahet mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Ndërsa në orën 13:00 mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

“Ftesa për mandatim të formimit të Qeverisë i është bërë LVV-së, si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, prandaj i takon LVV-së që të gjejnë formulën e formimit të institucioneve. LDK e ka dëshmuar institucionalizmin e saj duke ia dhënë të gjitha 28 votat e LDK-së kandidatit të LVV-së për kryeparlamentar”, ka thënë për gazetën zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa. Ai ka shtuar se nuk kanë vendosur ende nëse do të ketë rinisje të negociatave për koalicion.