Ballina Lajme nacionale Ujërat e zeza në Dibër: Projekti zvarritet, toka ndotet

Ujërat e zeza në Dibër: Projekti zvarritet, toka ndotet

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

“Para disa viteve kam patur takime me përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe kam propozuar një projekt për tejkalimin e problemit me ndotjet nga ujërat e zeza”, tregon Daut Dumani, ndërsa shton se megjithatë, deri tani nuk është bë asgjë dhe aktualisht ujërat e zeza po ndotin afër 300 hektarë tokë pjellore në rrethinën e Dibrës

Vjollca SADIKU

Dibër, 15 mars – Problemi i ujërave të zeza në periferinë e Dibrës po shkakton probleme të mëdha ekologjike. Vite me radhë, edhe pse ka patur disa herë tentime për tu realizuar projekti i kolektorit për pastrimin e ujërave të zeza në lokacionin “Tabakane”, deri sot nuk është ndërmarrë asgjë. Për këtë shkak vazhdojnë të ndoten sipërfaqe të mëdha të tokës pjellore në fushën e Dibrës. Shqetësimi është i madh meqë nga ndotja pëson toka pjellore, por edhe lumi Drini i Zi. Kryetari i shoqatës “Uji i pastër, ushqimi i shëndoshë” në Dibër, Daut Dumani, thotë se problemi është shumë i madh. Ujërat e zeza nga kanalizimet fekale të Dibrës në pjesën më të madhe përfundojnë në lokacionet “Çeshmicë” dhe “Simnicë” që janë në afërsi të vendit të quajtur “Tabakane”.

“Para disa viteve kam patur takime me përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe kam propozuar një projekt për tejkalimin e problemit me ndotjet nga ujërat e zeza”, tregon Dumani, ndërsa shton se megjithatë, deri tani nuk është bë asgjë dhe aktualisht ujërat e zeza po ndotin afër 300 hektarë tokë pjellore në rrethinën e Dibrës. “Me të vërtet bëhet fjalë për një problem të madh ekologjike dhe ndotja e mjedisit jetësor është shumë shqetësuese”, shton ai. Pa realizimin e një kolektorit për pastrimin e ujërave të zeza në këtë pjesë të Dibrës nuk mund të mbrojmë tokën pjellore, thotë Dumani. Pikërisht këto ujëra të zeza ndotin pothuajse tokën më pjellore të komunës.

“Ne si shoqatë kemi ndërmarrë shumë aktivitete për të senzibilizuar nevojën e realizimit të një projekti të këtillë”, thotë bashkëbiseduesi i jonë dhe shton se ndotja shkakton probleme të mëdha si tek flora ashtu edhe te fauna në këtë pjesë të Komunës Dibër. “Jemi të mendimit se urgjentisht pushteti vendor dhe ministria përkatëse duhet të ndërmarrin aktivitet për realizimin e një projekti për ndërtimin e një kolektori në këtë pjesë të Dibrës”. Në shoqatën qytetare “Uji i pastër, ushqimi i shëndoshë”, e cila jep një kontribut të madh në mbrojtjen e mjedisit jetësor, thonë se përveç ndotjes së sipërfaqeve të mëdha të tokës, ujërat e zeza po ndotin edhe lumin Drini i Zi. Ky lum vazhdon rrjedhën e tij edhe në Republikën e Shqipërisë dhe faktikisht bëjnë ndotje të ujërave ndërkombëtare. “Duke marrë parasysh se lumi Drini i Zi është në afërsi të fushave që ndoten drejtpërdrejt, me këtë paraqitet një rrezik i theksuar për mjedisin jetësor, por edhe për përdorimin e ushqimeve që prodhohen në këtë pjesë të fushës së Dibrës”, thotë Dumani.

Për problemin në fjalë, më se tre dekada është debatuar nga shoqatat e bujqve në Dibër. Ata gjithmonë kanë reaguar për shqetësimet që kanë për ndotjen e tokave të tyre në këtë pjesë të komunës. Ndotja ka qenë shpeshherë edhe temë debati në seanca të Këshillit të Dibrës, por për fat të keq – në asnjë moment nuk është përfunduar me ndërtimin e kolektorit. Të dhënat e institucioneve lokale, por edhe të ndërmarrjes publike “Standardi” thonë se ka patur aktivitete të ndërtimit në pjesën të lokacionit “Çeshmicë”, por për shkak të mungesës së mjeteve financiare, sistemi për pastrimin e ujërave ka ngel pa përfunduar. (koha.mk)

The post Ujërat e zeza në Dibër: Projekti zvarritet, toka ndotet appeared first on KOHA.

---- ----
-----