Ballina Lajme Bota/Rajoni U qëllua me disa plumba, zbardhen detaje të tjera nga atentati ndaj...

U qëllua me disa plumba, zbardhen detaje të tjera nga atentati ndaj prokurorit shqiptar

22
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë të pasdites së djeshme, ku prokurori Arjan Ndoja dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë, pas një atentati mafioz në Shkozet të Durrësit.

Sipas Report TV, dyshohet se atentati është i porositur dhe se autorët janë vrasës me pagesë të ardhur nga Kosova ose Veriu.

Nisur nga trajektorja që ka përshkuar makina e autorëve që u gjet e braktisur në Shkafane të Ishmit është arritur në përfundimin se ata janë larguar përmes kësaj zone duke shmangur rrugën nacionale Durrës- Vorë- Fushë Krujë ku ka një përqendrim të forcave policore dhe një numër të lartë kamerash sigurie.

Dyshimet paraprake janë se autorët kanë qenë me dy automjete, një prej të cilëve i ka prerë rrugën. Sipas burimeve kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos.

Po ashtu mësohet se ekspertiza do të kalojë sot në “skaner” automjetin që dyshohet se u përket autorëve, i cili u gjet i braktisur në aksin dytësor që lidh Shkozetin me Fushë-Krujën, në rrugën për Ishëm.

Brenda mjetit u gjetën 2 kallashnikovë, të cilët thuhet se janë përdorur në sulmin ndaj mjetit tip ‘Benz’ AA 333 ZD pasditen e djeshme në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Policia siguroi zonën, dhe duke qenë se ishte natë, këqyrja e mjetit do të bëhet sot, targat e të cilit rezultonin të vjedhura në Tiranë.

Kujtojmë këtu se prokurori Arjan Ndoja është vënë së fundi në qendër të akuzave politike, përmendur nga vetë kryeministri Edi Rama si dhe zv.kryeministri Erjon Braçe, si prokurori që mbështet bandat kriminale dhe i bën presion nëpunësve të shtetit në favor të grabitjes së pronave nga krimi.