Ballina Lajme Bota/Rajoni Turqia “i lutet” BE-së: Mos na ndani nga Ballkani Perëndimor!

Turqia “i lutet” BE-së: Mos na ndani nga Ballkani Perëndimor!

26
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ankaraja kërkoi nga Bashkimi Europian që të heqë “ndarjen artificiale” mes saj dhe Ballkanit Perëndimor në politikat e zgjerimit të bllokut. Thirrja u bë përmes një letre që ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i ka drejtuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Letra, që është parë nga Radio Evropa e Lirë, është e datës 22 janar dhe nënvizon pikëpamjen e Turqisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së. Ajo është shkruar para se Komisioni Europian të publikonte metodologjinë e re të procesit të zgjerimit.

Kjo metodologji u publikua të mërkurën dhe I referohej vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE. Cavusoglu ka shkruar në letër se shtetet e këtij rajoni nuk duhet të trajtohen ndryshe nga Turqia.

“Të gjitha vendet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Shpresojmë të shohim disa hapa pozitivë që do t’i jepnin fund ndarjes artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë mandatit tuaj”, ka shkruar Cavusoglu.

“Përveç faktit se Turqia është një vend i Ballkanit për shkak të historisë, kulturës dhe gjeografisë së saj, çdo vend kandidat duhet të gjykohet në meritat e tij dhe në rrethana të barabarta”, shton ai. Turqia ka aplikuar për t’iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Europian – institucionit paraardhës të BE-së – në vitin 1987, ndërsa negociatat e anëtarësimit në bllokun europian, I ka nisur që në vitin 2005.

Këto negociata kanë ngecur viteve të fundit, për shkak të kritikave të BE-së ndaj situatës me të drejtat e njeriut në Turqi dhe sundimit të ligjit. Aktualisht, 14 nga 33 kapitujt e bisedimeve që Ankaraja duhet t’i mbyllë në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së, janë të ngrirë. Ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë se Turqia në bisedime, edhe pse i kanë nisur bisedimet vetëm në dekadën e kaluar.

Cavusoglu ka thënë në letrën e tij se “populli turk sot beson shumë në projektin e BE-së, por shumica nuk i beson BE-së për shkak të standardeve të dyfishta dhe diskriminimit kundër Turqisë”.

---- ----
----
-----
-----