
Mbështetës të “sektit të teorive konspirative” besojnë ende se Donald Trump do të rikthehet në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 4 mars, si presidenti i 19-të i Shteteve të Bashkuara.
Arsyeja që e besojnë këtë është një teori konspirative, sipas së cilës Ulysses S. Grant ishte presidenti i fundit i cili ka marrë detyrën në mënyrë të ligjshme, më 4 mars 1869, dhe të gjithë të tjerët janë të paligjshëm.
Po sipas të njëjtës teori, pas një gjyqi ushtarak, “kulti i satanistëve të majtë” do të ndëshkohet dhe kjo do t’i hapë rrugë rikthimit të Trump.
Sado e çmendur mund të duket kjo teori, në Uashington masat janë marrë që të shmanget një tjetër incident i dhunshëm si ai i 6 janarit, ku pati edhe viktima si pasojë e mësymjes së mbështetësve të Trump brenda godinës së Kongresit amerikan, ndërkohë që po certifikohej fitorja e Biden.
Kërkesa për qëndrimin e trupave të Gardës Kombëtare është bërë nga Policia e Kapitolit, dhe u miratua nga Pentagoni, i cili gjithashtu po punon me një sërë agjencish ligjzbatuese për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.