
Ai ka një ëndërr, të rikthehet një ditë te Juventusi. Mesfushori 23-vjeçar shqiptar Françesko Tahiraj aktualisht është pjesë e Hajdukut të Splitit. Por ai mendjen e ka te bardhezinjtë, ndërsa po përpiqet shumë që të rritet si lojtar e të bindë drejtuesit e Juves që ta rikthejnë në skuadër.
“Përgjegjësia është e madhe, pasi Hajduku i Spitit është një klub me emër dhe tifozeri të jashtëzakonshme, që pret gjithmonë rezultate pozitive. Megjithatë me mentalitetin e duhur mund të shkojmë përpara. A dua të kthehem te Juvja? Unë jam rritur në Torino dhe Juventusi është skuadra ime e zemrës. Jam rritur atje qoftë si futbollist e qoftë si njeri, ndaj do të doja të rikthehesha sërish një ditë.”
Më pas lojtari u ndal te kombëtarja kuqezi.
“Fatmirësisht ftesa më erdhi për miqësoret me San Marinon dhe Slloveninë, por korona na prishi planet. Besoj se shumë shpejt do të jem pjesë e Shqipërisë, por kjo do të varet nga unë dhe mënyra si do të paraqitem në vijimësi.”
Në fund, Tahiraj tregon për idhullin e tij. “Kur kam qenë i vogël, kam pasur idhull Roberto Baggio-n, por tani nuk kam një lojtar ku të fokusoj inspirimin tim, pasi luaj në role të ndryshme, si pas sulmuesve, ashtu edhe në krahët e mesfushës e mbrojtjes.”