Ballina Shëndetësi Trafiku i ilaçeve në “tregun e zi” dhe vjedhja e pajisjeve të...

Trafiku i ilaçeve në “tregun e zi” dhe vjedhja e pajisjeve të oksigjenit

12
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Nga Denis Tahiri 

“Kot thonë tampon i shpejtë, e që shteti siguron tampon për qytetarët. Në rastin tim, kushedi se sa të tjerë do kisha marrë në qafë nëse do kisha ndjekur rregullat e shtetit, që kërkojnë rekomandimin e mjekut e pastaj të të bëjnë tamponin”
, e nis bisedën Bledi, një student 23 vjeçar, i cili edhe gjatë kohës së pandemisë, ka zgjedhur të qëndrojë në Tiranë për të mos humbur punën si kamarier.

Ai tregon se filloi të dyshojë se mund të ishte infektuar me Covid-19, përgjatë ditëve të fundit të janarit. Temperatura e lartë 37.7 gradë Celsius ishte shenja e parë.

“Menjëherë u drejtova në qendrën shëndetësore pranë lagjes. Ka qenë ora rreth 6 e mbrëmjes e kërkova të bëja tamponin për të parë a isha pozitiv apo jo, pasi nuk doja të humbja edhe ditën e punës ditën e nesërme. Më thanë se tamponi nuk mund të bëhej në atë orë pasi fillonte në orën 10 të paradites dhe në atë kohë s’kishte staf, plus unë duhej të kisha edhe rekomandimin e mjekut të familjes edhe pse mjekun e familjes e kam në qytetin tim të lindjes dhe nuk e kam zhvendosur gjendjen civile në Tiranë. U detyrova të shkoj në privat ku tamponi më rezultoi pozitiv dhe gjithashtu një prej mjekëve aty më dha edhe medikamentet që duhet të merrja. Fatmirësisht e kalova lehtë”, thotë ai duke shtuar se kostoja e kurimit i shkoi rreth 300 mijë lek të vjetra.

Kur Covidi kalon më shpejt se ardhja e përgjigjes së tamponit

Mes shumë problematikave të ndeshura gjatë pandemisë, një ndër ngërçet më të mëdha në kryerjen e testit Covid-19 në strukturat shtetërore, vijon të mbetet vonesa në kthimin e përgjigjes. Andi, një 27 vjeçar i cili ka kaluar Covid-19 gjatë muajit shkurt, tregon se kjo ishte pengesa më e madhe që hasi. Edhe pse e bëri tamponin në fund të janarit në Qendrën Shëndetësore, përgjigjia i erdhi në fund të javës së parë të shkurtit.

“Përgjigja e tamponit në shtet më erdhi rreth 8 ditë pasi kisha kryer testimin në Qendrën Shëndetësore. Ishte tampon PCR dhe jo i shpejtë, pasi i shpejti kishte mbaruar atë ditë dhe testimi vijonte me llojin e vjetër të testimit. Pasi prita tre ditë familjarët më detyruan t’i drejtohesha privatit dhe rezultova pozitiv”, thotë ai duke shtuar se trajtimin e nisi menjehërë edhe prej faktit se një prej familjarëve të tij punon në mjekësi.

“Në këtë aspekt isha me fat, pasi një familjare e imja punon në mjekësi dhe menjëherë më nisi trajtimin me vitamina dhe më pas edhe me antibiotikë pasi e kisha të nevojshme. Edhe pse pata disa shqetësime sërish e konsideroj veten me fat meqënëse e kalova lehtë. Nëse do të kisha pritur përgjigjen e tamponit nga shteti, me shumë mundësi mund të isha rënduar nga gjendja shëndetësore pasi vonoi me shumë se një javë”, kujton i riu.

Por jo të gjithë e kalojnë lehtë infeksionin Covid-19. Më së shumti qytetarëve u jep edhe komplikacione të tjera, të cilat kërkojnë një ndjekje me medikamente që në shumë raste nuk lejohen të tregtohen ligjërisht në Shqipëri. Situata vështirësohet akoma më tej, kur të infektuar rezultojnë të gjithë pjesëtarët e familjes. Askush nuk kujdeset, gjendja psikologjike rëndohet dhe nevojitet një buxhet i konsiderueshëm monetar për përballimin e kostove.

“Kërkova ta bëj tamponin, pata shenjat e para, temperaturë, kollë e rrufë. Kontaktova me mjekun e familjes më tha prit nja 3 ditë se mos bie temperatura. Më këshilloi nëpërmjet telefonit disa medikamente gjenerike të tipit paracetamol, aspirinë, dy antiviral dhe antibiotik me dozë shumë të ulët edhe pse i thashë se kisha dyshime të forta se isha prekur nga Covid-19. Njëri nga familjarët e mi ishte pozitiv dhe pata kontakt me të”, shprehet një qytetar i Tiranës i cili nuk dëshiron të identifikohet. Edhe ai nuk gjeti zgjidhje për tamponin ndaj shkoi e bëri ditën e nesërme në privat dhe rezultoi pozitiv. Edhe pas një komunikimi tjetër me mjekun e familjes këtë herë me test pozitiv, mjeku i rekomandoi sërisht të njëjtat medikamente si më parë.

“Aty e humba besimin dhe ju drejtova privatit, për shkak se edhe simptomat po rëndoheshin, ndërsa mjeku i familjes më rekomandonte medikamente që perdoren për gripin e thjeshtë”, thotë ai.

Trafik dhe mjekime me medikamente “të ndaluara”

Ndryshe nga shteti, në privat receta e 30 vjeçarit ndryshoi totalisht. Pjesë e saj ishin medikamente që ai më herët i kishte dëgjuar të përmendeshin në mediat vizive ku përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë deklarojnë se ishin të panevojshme.

  

“Mjeku më sugjeroi Favipiravir, Xarelto si hollues gjaku, Plaquenil që është për mbrojtjen e mushkërive dhe si Plaquenil dhe Favipiravir nuk ekzisotjnë në tregun shqiptar. U desh ti gjeja në të zezë. Favipiravir-i ishte i trafikuar nga Turqia dhe shitej me 200 euro për kuti, ku çmimi i saj jashtë është maksimumi 30 dollarë dhe për kurim duheshin 80 kokrra, pra 2 kuti. Plaquenil-i ishte diku te 100 euro, hollues gjaku me shiringë që supozohej të ishte me 15 mijë lekë të vjetra doza për familjaren time që ishte në gjendje më të rëndë”, flet haptazi i riu. Por përkeqësimi i familjares së tij, e detyroi ti drejtohej edhe njëherë

“tregut të zi” të ilaçeve për të blerë Remdesivir, medikament ky që në tregun farmaceutik shqiptar nuk lejohet të shitet.

Remdesivir-in e kishin nga 150 deri në 250 euro për dozë dhe për një trajtim të plotë duheshin 11 doza. Për familjaren time u desh edhe Dexametazon dhe serume, salinat, linjat plastike të serumeve dhe gjithçka për një person shkonin në 3500 euro pa marrë parasysh analizat e bëra në privat para dhe pas, se në shtet nuk bëmë asgjë, edhe kur shkuam na këshilluan të shkonim në privat për ti bërë”, tregon ai duke detajuar edhe formën se si u dorëzoheshin ilaçet “e shërimit”.

“Na i sillnin me motor, i ke parasysh këta motorristat e picerive?! Njësoj, a thua shpërndanin sufllaqe dhe sa na i jepnin në dorë na thoshin futi në xhep shpejt se mos të shikon njeri”.

Nga eksperienca e tij, 30 vjeçari thotë se në “tregun e zi” të medikamenteve, funksionon si rreth i mbyllur, me fjalë goje e me besimin që mjeku vendos te ty për të t’i dhënë “garancinë” zotëruesve të atyre medikamenteve që të ti shesin.  Edhe pse diçka ilegale, mirënjohja e tij është e madhe kur e pyetëm për emrat e farmacive që kishte blerë këto ilaçe. “Nuk do ti tregoj kurrë. Edhe pse diçka ilegale, s’dua t’ja di, mua dhe familjarëve të mi prej atyre ilaçeve na u shpëtua jeta”, shprehet ai.

Puna më e kërkuar? Infermier “freelance”

Rastet e mjekimeve që kërkojnë vendosje të serumit dhe trazim të medikamenteve të ndryshme, është e domosdoshme që të kryhen në ambiente spitalore dhe nën monitorimin e rreptë të mjekëve. Por gjatë Covid-19, ka lindur edhe “tregu” i infermierëve në banesë.

Në nevojë për infermier ishte edhe personazhi kryesor i shkrimit, 30 vjeçari nga Tirana, që pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të familjares së tij, nisi trajtimin me Remdisivir dhe Dexametazon.

“Për Remdisivir-in dhe për Dexametazon-in duhej dikush i specializuar pasi duhet të bënte trazimin e tyre në mënyrë specifike dhe u desh të merrnim infermierë, i cili vinte një herë në ditë dhe paguhej 50 mijë lekë të vjetra në ditë. Këta infermierë punonin edhe në shtet edhe në privat dhe “freelancer”. I gjithë mjekimi në total pa pikë frike na shkoi diku te 9 deri në 10 mijë euro për të gjithë familjen”, thotë ai, duke ironizuar edhe skemën e rimbursimit të ilaçeve Covid nga shteti që në recetat e familjes së tij, rimburson vetëm paracetamolin.

Ministria e Shëndetësisë: Kemi ilaçe

Ne pyetëm edhe Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me medikamentet që ka blerë për përballimin e situatës së shkaktuar në spitalet shqiptare nga Covid-19, dhe ky institucion na i listoi këto medikamente së bashku me çmimet e blerjes së tyre.

Blerje bari antineoplastik immunomodulator. Tocilizuma 400 mg/ 20ml, 400 copë, me çmim për njësi 62,641 lekë pa TVSH.

-Ribavirin 200 mg tabletë/kapsul- 100 copë; 10,700.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 107 lekë pa TVSH

-Oseltamivir (tamiflu) tabletë”- 6,000 copë; 885,000.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 147.5 lekë pa TVSH

-Omperazol 40 mg/cial flakon”- 20,350 copë; 9,666,250.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 475 lekë pa TVSH

-Propofol 10 mg/ml- 50 ml flakon”- 660 copë; 359,766.00 lekë pa TVSH, me çmimin për njësi 545.1 lekë pa TVSH.

 -Beclomethasore + Salbutamol 80 mcg + 1600 mcg, flakon- 10,000 copë, 513,000.00 lekë pa TVSH, me çmim për njësi 51.3 lekë pa TVSH.

Megjithatë edhe pse shumë nga këto medikamente duhet të jenë vetëm për përdorim spitalor, ato sigurohen lehtësisht në tregun e lirë farmaceutik shqiptar.

Ndërkohë që lufta me Covid-19 është duke vijuar në spitalet shqiptare, si edhe në të gjithë botën, askush nuk e ka vëmendjen te pajisjet dhe medikamentet e nevojshme për stade të avancuara të këtij virusi. Njëlloj ka shpërthyer në rrjetet sociale edhe tregu i aparaturave, që u ofrohen qytetarëve që kërkojnë shpëtim me çfarëdo kostoje për pajisjen e oksigjenit. Ky treg funksionon sërisht mes të njohurish që ofrojnë pajisje oksigjeni me qera një mujore ose për ta blerë. Në rastet e tjera, tregtarët e shesin aparaturën me garanci 1-vjeçare ose më shumë. Problematika e pajisjeve të oksigjenit u kthye në objekt hetimi në prokurorinë e Kavajës, ku pas vënies nën hetim të Mensur Shtyllës, ai tregoi se i kishte marrë pajisjet nga spitali për të ndihmuar të prekurit me Covid-19 që kuroheshin në shtëpi dhe që nuk kishin mundësi financiare. Gjatë kqyrjeve prokuroria evidentoi:

“Në banesat e katër shtetasve u gjetën bombola me oksigjen, kurse në shtëpinë e Galip Renës ka të sëmurë me covid, ndonëse kishte një bombël të marrë nga spitali, ishte e pamundur për të hyrë pasi aty kishte ende të sëmurë me covid.” (Qualityjournalism)

---- ----
----
----- ----
-----