Ballina Lajme nacionale Tone të zbutura dhe mesazhe indirekte, çfarë pazari u mbyll mes Ramës...

Tone të zbutura dhe mesazhe indirekte, çfarë pazari u mbyll mes Ramës dhe Metës?!

23
SHPËRNDAJE

Që prej të shtunës së kaluar politika “zien” më shumë se çdo herë tjetër. Maxhoranca dhe opozita qëndrojnë në llogoret e tyre. Kjo pas një dekreti të ri të Metës që lidhet me zgjedhjet e 30 qershorit. Por seanca plenare e kësaj të enjte tregoi se “nën rrogoz” po luhet një tjetër lojë, nga ato lojëra që shqiptarët pak i dinë, por kur bëhet fjalë për lojtarët politikë çdo gjë mund të ndodhë.

Skenari ishte i ngjashëm me ato që kemi parë në këto 20 vite politikë, aty ku Rama dhe Meta krijojnë sherre artificiale dhe në fund e mbyllin me një pazar. Nga ngjalat e Gjirit të Lalzit deri takimet sekrete tek Pallati i Brigadave, Rama dhe Meta kanë ndarë gjithmonë pazarin mes njëri-tjetrit.

Aq sa këtë skenar edhe Basha e kuptoi mjaft mirë dhe nuk e la pa e përmendur në takimin e mesditës me përfaqësuesit e medias.

“Rama e nisi parlamentin për shkarkimin e Metës dhe përfundoi me një rezolutë qesharake.” – tha kryedemokrati.

Megjithatë pyetja që lind është kjo: A është mbyllur qoftë edhe teorikisht një pazar i radhës mes Ramës dhe Metës? Shumë syresh mendojnë se “po” për disa arsye:

Së pari, Rama e zbuti gjuhën në seancën e sotme plenare, krejt ndryshe nga disa ditë më parë, apo edhe nga takimi dje në Divjakë, teksa prezantoi kandidatin për kryetar bashkie.

Së dyti, Meta anuloi një dalje publike të parashikuar në orën 17:00, e që shumë zëra thonin se ai do të shpërndante parlamentin.

Së treti: Kushdo që njeh spërdredhjet politike të Presidentit Meta dhe të kryeministrit Edi Ramës, e dinë mjaft mirë se këta të dy nuk vënë interesin e popullit përpara atij personal.

Me pak fjalë Rama dhe Meta dinë të shkojnë në esktrem, por pa e kaluar cakun. Historia e miqësisë mes tyre është e gjatë, me luhatje të ndryshme por me një qëllim të vetëm, ambicia për pushtet. Kujtojmë në vitin 2008, 2011, 2013, por edhe në 2015 aktorët e lojës së fortë politike janë përsëri Rama dhe Meta.

Ditët në vijim nuk mund të jenë vendimtare, sepse në një këndvështrim të ftohtë, pazari mes Ramës dhe Metës, tashmë është mbyllur. Duhen vetëm të detajet.

-----