Ballina Lajme nacionale Thaçit i refuzohet kërkesa nga Kushtetuesja për vendimin e Haradinajt rreth pronave...

Thaçit i refuzohet kërkesa nga Kushtetuesja për vendimin e Haradinajt rreth pronave të komunave

10
SHPËRNDAJE

Kushtetuesja e refuzon kërkesën e Thaçit për vendimin e Haradinajt rreth pronave të komunave.

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në lidhje me vendimet e Qeverisë për bartjen e disa pronave publike dhe shoqërore në shfrytëzim apo pronësi të komunave.

Kushtetuesja ka ardhur në përfundim se kërkesa e Presidentit për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Qeverisë të papranueshme për shqyrtim në merita.

Rasti është parashtruar nga presidenti nga ku u kërkua vlerësim i konfliktit të kompetencës kushtetuese në mes të Presidentit dhe Qeverisë së Kosovës.

Thaçi kërkoi nga Kushtetuesja përgjigje në pyetjet se a duhet Qeveria të anulojë vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Kosovës për shfrytëzim tek komunat, në mungesë të bazës ligjore dhe a duhet qeveria t’i rishikojë vendimet që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave si dhe të respektoj procedurat sipas ligjit në fuqi për këtë çështje.

Si përfundim, Kushtetuesja ka bërë të ditur se kërkesa e presidentit shpallet e papranueshme për shqyrtim në merita sepse gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ndonëse është palë e autorizuar që të ngre çështje të konfliktit të kompetencave mes tij dhe Qeverisë, nuk e ka dëshmuar që çështja e ngritur ndërlidhet me kompetencat e tij kushtetuese të parapara me Kushtetutë.

Qeveria kishte vendosur t’i tërheqë nga procesi i privatizimit dhe t’i bartë një numër pronash që menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kllokotit, Ranillugut dhe komunave të tjera.

-----