Ballina Lajme nacionale Thaçi vë në dyshim unionin, BE-ja: Nuk komentojmë deklaratën e presidentit për...

Thaçi vë në dyshim unionin, BE-ja: Nuk komentojmë deklaratën e presidentit për Lajçakun

34
SHPËRNDAJE

Zyra për Punët e Jashtme e Bashkimit Evropian vendosi që të mos komentojë deklaratën e bërë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që e bëri të qartë se nuk do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë, nën udhëheqjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se dialogu Kosovë-Serbi duhet të nisë sa më shpejt që është e mundshme.

“Ne nuk komentojmë këtë deklaratë të Thaçit. Dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, sapo që situata e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ta mundësojë këtë. Ne kemi theksuar për një kohë të gjatë se është vendimtare që të rifillojë dialogu për t’i dhënë rajonit një perspektivë evropiane. Bashkimi Evropian lehtëson dialogun që nga fillimi më 2011 dhe vazhdon të punojë përmes Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell – tani të përkrahur nga Përfaqësuesi i Posaçëm, Mirosllav Lajçak”, tha Stano.

Thaçi sot gjatë ditës vuri në dyshim seriozitetin e BE-së duke thënë se dy njerëzit kryesorë për këtë çështje vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke iu referuar sllovakut Lajçak dhe spanjollit Borrell.

“Emërimi i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për rajonin reflekton rëndësinë që shtete anëtare ia kushtojnë dialogut. Përfaqësuesi i Posaçëm i ri është vazhdimisht në kontakt me të gjithë partnerët e rëndësishëm për të dëgjuar pikëpamjet e tyre, pritjet dhe shqetësimet në mënyrë që të përgatisë terrenin, ashtu që dialogu të vazhdojë pa vonesë. Gjithsesi, koha, agjenda dhe ritmi i dialogut nuk varen nga BE-ja, por formohen bashkë me të dy palët dhe zotësitë e tyre për t’u pajtuar”, u shpreh Stano.

-----