Ballina Lajme nacionale Thaçi, Trumpit: Kosova do të vazhdojë t’i ruaj si sytë e ballit...

Thaçi, Trumpit: Kosova do të vazhdojë t’i ruaj si sytë e ballit raportet me SHBA-të

15
SHPËRNDAJE

Hashim Thaçi po qëndron këtë kohë në SHBA.

Presidenti i Kosovës, ka dhënë detaje të tjera rreth takimit të tij që pati së fundi me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

Thaçi ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë ai thotë se e konfirmoi edhe për të ardhmen Presidenti Trump.

”Kosova është e bekuar që ka një mbështetje të plotë të SHBA-ve. Një mbështetje të tillë e konfirmoi edhe vet Presidenti Donald Trump në takimin e mbrëmshëm. Është një konfirmim i fuqishëm që raportet tona të përjetshme Kosovë-SHBA do të vazhdojnë të jenë të tilla”.

”Jemi shumë mirënjohës SHBA-ve për kontinuitetin në mbështetje pavarësisht ndryshimit të administratave. E di se Presidenti Trump edhe vet është i zotuar që të fokusohet në çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor edhe me zhvillimet në Kosovë dhe ecjen përpara”.

Presidenti Hashim Thaçi bëri të ditur se në këtë takim e ka ftuar për një vizitë në Kosovë, Presidentin amerikan Donald Trump, gjë e cila beson se do të ndodhë në një të ardhme të afërt, njofton Klan Kosova.

”Konfirmova edhe njëherë se Kosova do të vazhdojë t’i ruaj si sytë e ballit raportet me SHBA-të. Dhe asnjë ego apo apetit i politikës ditore nuk do t’i lëndojë këto raporte. Ftova Presidentin Donald Trump ta vizitojë shtetin e Kosovës, shpresoj që në të ardhmen e afërt kur ai të gjendet në rajonin tonë, ta vizitojë Kosovën, vendin më proamerikan në botë”.

”Presidenti Trump ndihet shumë i nderuar dhe krenar me atë që populli i Kosovës nderon dhe respekton e iu beson fuqishëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Thaçi mes tjerash pohoi se pret mbështetjen e autoriteteve amerikane për një shtytje më të gjerë për Kosovën Euroatlantike, duke kujtuar që mos të humbet kohë shumë në formimin e Qeverisë së re.

”Pres që autoritetet amerikane të jenë të fokusuar në shtytje të procesit drejt NATO-s e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara, por edhe ne e kemi obligim që të formohet sa më shpejt Qeveria e re dhe të marrin përgjegjësitë që ua dhënë qytetarët e Kosovës”