Ballina Lajme nacionale Thaçi takohet me Valdete Dakën, flasin për përgatitjet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Thaçi takohet me Valdete Dakën, flasin për përgatitjet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

7
SHPËRNDAJE

Nëse shpërndahet Kuvendi, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar rëndësinë e përgatitjeve teknike, dhe sigurimit të mjeteve buxhetore për të organizuar zgjedhjet, të cilat sipas tij, duhet të përmbushin kriteret më të larta demokratike.

Presidenti Thaçi ka theksuar se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit, dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, është e rëndësishme që të bëhen përgatitjet për të siguruar një proces zgjedhor fer dhe demokratik .

Këto komente, Thaçi i bëri pas gjatë një takimi me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

Siç njofton kumtesa presidenciale, në takim është biseduar për përgatitjet rreth organizmit të zgjedhjeve, pas paralajmërimit të partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht, përcjell lajmi.

Nga ana tjetër, Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë për shpërndarjen e tij, çka i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Para caktimit të kësaj seance nga ana e Kryesisë së Kuvendit, presidenti Thaçi i pati dërguar një letër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që në emër të koalicionit që ka fituar shumicën në Kuvend, në zgjedhjet e kaluara, të emërojë një kandidat të ri për kryeministër. Mirëpo, Veseli në përgjigjen e tij pati thënë se nuk do të ketë kandidat të ri, por do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi ishte ftuar për intervistim si i dyshuar, nga Gjykata Speciale në Hagë.

-----