Ballina Lajme nacionale Thaçi konsultime me partitë politike/ Kurti: Zgjedhje pas pandemisë

Thaçi konsultime me partitë politike/ Kurti: Zgjedhje pas pandemisë

29
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar nisjen e bisedimeve me partitë politike për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Nisma e tij, pason votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.

----

Por, ky i fundit e ka përjashtuar mundësinë që të nisin konsultimet për qeverinë e re, duke kërkuar që qeveria e tij të vazhdojë punën deri në përmbylljen e fazës së pandemisë së shpallur pas përhapjes së koronavirusit të ri. Presidenti Thaçi ka thënë se fokusi i tij do të jetë të shmanget mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe mosshpërndarja e Kuvendit të Kosovës.

Por, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim përmes postës elektronike dhënë Radios Europa e Lirë, thanë se deklarata e presidentit Thaçi është jokushtetuese dhe se vendi pas pandemisë së COVID-19, duhet të shkojë në zgjedhje. Vetëvendosje thotë se qeveria dhe kryeministri në detyrë, Kurti mbeten të përkushtuar që nga kjo situatë e krijuar nga koronavirusi i ri, vendi të dalë me numër sa më të vogël të personave të prekur me COVID-19.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, referuar nenit 82 ku flitet për shpërndarjen e kuvendit, pika 2 e tij, thekson që presidenti mund të shpërndajë kuvendin pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit.

Më tej ne kemi tashmë dy dekrete, atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2017, ku të dy presidentët në vitet në fjalë, pas votimit të suksesshëm për mosbesimit ndaj qeverisë, kanë shpërndarë kuvendin, tashmë ka precedent dhe është shndërruar në normë”, thotë Vetëvendosje. Pas votimit të mocionit të mosbesimit nga ana e 82 deputetëve të Kuvendit, Kosova po drejtohet nga një qeveri në detyrë.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.

----- ----