Ballina Lajme nacionale Thaçi: Kam nënshkruar vendimin për mandatimin e Albin Kurtit si kryeministër

Thaçi: Kam nënshkruar vendimin për mandatimin e Albin Kurtit si kryeministër

17
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duhet të deklarohet nëse dëshiron që zyrtarisht të pranojë nominimin për kryeministër ose të tregojë nëse e refuzon atë.

Thaçi sërish ka përmendur se ai ka nënshkruar vendimin për ta mandatuar Kurtin për kryeministër, pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

“Koha po kalon, andaj unë si president i vendit duke parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit (v.j. Albin Kurti), që ka qenë kandidat edhe zyrtar i partisë për kryeministër gjatë fushatës dhe gjithashtu që e ka nominuar më tepër se gjysmën e qeverisë, unë duke menduar që do ta pranojë sepse është një rregull i pashkruar që në momentin që i kryetari i partisë së parë dhe i nominuari për kryeministër dhe që ka caktuar gjysmën e qeverisë, në konsultim e sipër edhe në kuptimin zyrtar merr nominimin”.

Kurti dhe Thaçi zhvilluan një takim në fillim të këtij muaji, por gjatë këtij takimi, kryetari i Vetëvendosjes, nuk kishte emëruar asnjë kandidat nga partia e tij për t’u mandatuar për kryeministër, duke thënë se një gjë të tillë do ta bëjë në ditët në vijim.

“Unë e kam nënshkruar atë ditë nominimin për zotin Kurti si kandidat për kryeministër të qeverisë. Ai është ende në tavolinën time të punës dhe shpresoj që nuk do të kalojë e gjatë që edhe zoti Kurti të reflektojë në kuptimin e pranimit e nominimit, që është edhe vullnet i partisë së tij dhe elektoratit të tij. Në rrethana të tjera, duhet ta deklarojë refuzimin. Pastaj, shohim e bëjmë”, tha Thaçi pas një takimi që zhvilloi me ish-ambasadorin e OSBE-së William Walker.