Ballina Lajme nacionale Thaçi anulon pjesëmarrjen në Samitin e Sarajevës

Thaçi anulon pjesëmarrjen në Samitin e Sarajevës

13
SHPËRNDAJE

Për shkak të ftesës denigruese, Thaçi anulon pjesëmarrjen në Samitin e Sarajevës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se Kosova nuk do të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që do të organizohet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai ka përmes një postimi ka shkruar se, përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim, transmeton Koha.net.

Sipas tij, Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke.

“Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina”, ka shkruar ai.

Sipas Thaçit, minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

Ai thotë se, sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë sipas tij, përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë.

“Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, thotë ai.

Thaçi thotë se, Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush.

-----