Ballina Lajme nacionale Tha se Florim Ejupi privoi nga jeta Ivanoviqin, demantohet Vuҫiq

Tha se Florim Ejupi privoi nga jeta Ivanoviqin, demantohet Vuҫiq

194
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Është demantuar Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuҫiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke amnistuar Milan Radojiçiqin, njeriun kryesor që dyshohet për rastin e politikanit Oliver Ivanoviq, tha emrin e kosovarit Florim Ejupi që sipas tij kreu atentatin.

Shefi i shtetit serb e akuzoi edhe Shqipërinë se nuk i ka dorëzuar prova të cilat e dokumentojnë këtë.

Por, po del që krejt këto deklarata të tij, janë veç propagandë për të fshehur prapavijën e asaj se çka ka ndodhur në të vërtetë.

Organet e drejtësisë në Shqipëri mohojnë se ka pasur kërkesë të tillë nga pala serbe, e po ashtu mohojnë edhe hetimet ndaj Ejupit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duke mobilizuar mediat serbe që funksionojnë nën ombrellën e tij, u mundua që të vazhdojë amnisitimin ndaj personit që është i dyshuari kryesor për rastin e politikanit Oliver Ivanoviq.

Vuçiq duke mbrojtur Milan Radojiçiqin tha një emër të ri i cili zuri që dy ditë ballinat e mediave nga Serbia.

Bëhet fjalë për Florim Ejupin nga Podujeva, që sipas asaj që pretendon Vuçiq është personi që qëndron prapa atentatit që ndodhi në veri të Mitrovicës e ku mbeti i pa shenja jete Ivanoviq.

Për të bërë publik emrin e tij Vuçiq zgjodhi që të flasë pas takimit me kongresmenin amerikan Eliot Engel.

Por, kjo nuk ishte e tëra. Ai përpos që gjuajti akuza drejt Ejupit, tha se prova që i njëjti ka kryer këtë vepër ka edhe në shtetin shqiptar, nga aeroporti i të cilit sipas Vuçiq, Florim Ejupi ka vazhduar për në Gjermani, ku edhe jeton momentalisht.

“Pyes pse nuk po na i japin videot nga Aeroporti i Tiranës, Rinasi? pse nuk mund të gjejmë dëshmi se çfarë ka bërë Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani dhe çfarë ka bërë ai në Aeroportin e Tiranës, prej nga ka udhëtuar drejt Gjermanisë. Çfarë ka bërë Nexhmedin Zekaj, i cili ka ndërruar emrin e tij në Lirim Zekaj më pas? Këto janë të gjitha pyetje për të cilat ne nuk mund të marrim përgjigje”, deklaroi Vuçiqi, duke akuzuar organet e drejtësisë në Shqipëri se nuk kanë bashkëpunuar me prova për të zbardhur këtë rast.

Mirëpo, ajo se çka tha Vuçiq kur foli për këtë krim e për provat që sipas tij ekzistojnë e po fshehën nga Shqipëria po del të mos jetë e vërtetë.
Madje, nuk ka as edhe video për të cilat ai pretendon se i ka shteti apo hetime që po bëhen ndaj personit në fjalë për ndonjë rast.

Express ka kontaktuar Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë për të parë se a është dorëzuar ndonjë kërkesë nga shteti serb apo nga ndonjë shtet tjetër për Florim Ejupin.

“Lidhur me kërkesën tuaj mbi dhënien e informacionit ndaj shtetasit Florim Ejupi, ju informojmë se pranë Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, deri ne këto momente, nuk është depozituar asnjë kërkesë për ndihme juridike në fushën penale, nga asnjë shtet për personin e lartpërmendur”, ka bërë të ditur, Matilda Cara nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, që sqaron se shteti serb nuk iu ka dërguar asnjë kërkesë për bashkëpunim të njëjtëve.

Se një gjë e tillë nuk qëndron ka pohuar sot edhe vetë Florim Ejupi përmes avokatit të tij.
Mahmut Halimi tha se klienti i tij pas shqetësimeve që ka marrë nga lajmet e publikuara në mediat serbe, e ka njoftuar policinë gjermane.

Sot gjatë ditës ka reaguar për rastin edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Sipas tij ky deklarim është tërësisht politik dhe se organet e vendit që janë duke kryer hetimet nuk kanë një pistë të njëjtë sic po pretendon presidenti serb.

“Deklarimi i fundit i Vuçiqit në media rreth kësaj çështje, është deklarim tërësisht politik, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë. Të vetmet janë organet e zbatimit të ligjit ato që hetojnë dhe nxjerrin përfundime mbi pistat e dyshuara, mbi bazën e provave që janë nxjerrë rreth këtij rasti. Dhe një adresë e tillë tashmë ekziston”, tha Tahiri.

Por, kush është Florim Ejupi që çuditërisht pas sa kohe doli si emër potencial nga serbët, që qëndron prapa rastit të politikanit?

Emri i Florim Ejupit është i njohur që nga paslufta. Ai ishte i dyshuari kryesor i një rasti të cilësuar si terrorzëmi, në të cilin rast një autobus civil i mbushur me serbë, u sulmua më 16 shkurt të vitit 2001.

Nga ajo bombë, u privuan nga jeta 12 civilë serbë dhe u plagosën 40 të tjerë. Të gjithë këta po udhëtonin drejt manastirit të Graçanicës nga Nishi i Serbisë.

Ejupi ishte prangosur nga policia e UNMIK-ut në atëkohë derisa ishte arratisur nga burgu ushtarak në kampin e Bondsteelit, për t’u prangosur përsëri në Tiranë, ndërkaq, në vitin 2009 ai u lirua në mungesë të provave.

Florim Ejupi ishte dënuar me 40 vjet heqje lirie, derisa është liruar nga Burgu i Dubravës pas tetë vjetëve që kishte qëndruar në qeli.

Kolegji i Gjykatës Supreme, në përbërje të të cilit ishin tre gjykatës ndërkombëtarë dhe dy vendorë, ka urdhëruar lirimin e Florim Ejupit në mungesë provash.

“Kolegji i Gjyqtarëve nga Gjykate Supreme, i përbërë prej pesë gjykatësve – tre gjykatësve nga EULEX-i dhe dy gjykatësve vendorë – urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga Burgu i Dubravës, pasditen e datës 12 mars. Ai u lirua nga çdo akuzë në mungesë provash”, shkruhej në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga EULEX-i në vitin 2009.

Një ditë pas lirimit, Ejupi pati thënë se ndihej mirë që drejtësia është vënë në vend.

“Në Gjykatën Supreme më liruan nga të gjitha akuzat dhe unë jam i lirë tani. Gjithmonë e kam ditur që do të lirohem, pasi ai dënim ka qenë i padrejtë, me dëshmitarë të montuar dhe i gjithë rasti ka qenë i montuar”, kishte thënë ai.

Ejupi është i martuar dhe ka fëmijë derisa pas lirimit nga burgu kishte deklaruar se do të kërkonte kompensim për vitet e kaluara në qeli.

I njejti tash është 40 vjet, derisa vjen nga fshati Sekiraqë i Komunës së Podujevës.

Ejupi ishte dënuar për 11 privime nga jeta, dhjetëra të plagosur, për terrorizëm, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, diskriminim racial dhe mbajtje të paligjshme të eksplozivit.

Sipas presidentit serb, Florim Ejupi pas kryerjes së rastit ka ikur nga Kosova përmes aeroportit të Rinasit.

Ai përmendi, gjithashtu, një emër tjetër lidhur me ekzekutimin e Ivanoviqit.

Bëhet fjalë për Edmond Zekaj, i cili e ndërroi emrin e tij në Lira Zekaj dhe i cili ishte në Mitrovicë në ditën kur u ekzekutua Ivanoviqi. Sipas Vuçiqit ai tashmë është duke u strehuar në Gjermani.

Florimi ishte prangosur edhe në vitin 2014 pas dëshmisë së të prangosurit Shkumbin Mehmeti, që i ngarkonte atë dhe Bajram Kiçmarin për rastin e dy policëve: një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës.

Florim Ejupi ishte liruar nga akuza për vrasje të dyfishtë duke u lënë i lirë.

---- ----
-----