Ballina Lajme nacionale Thaҫi nuk iu ka dërguar partive ftesë për takim

Thaҫi nuk iu ka dërguar partive ftesë për takim

17
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës ende nuk u ka dërguar partive ftesë për takim.

Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, iu deshën një javë për të vendosur se çka do të veprojë pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit. Kur theu heshtjen, Thaçi tha se do të mbledhë partitë politike për konsultë, për t’u parë se çka do të veprojnë.

Përderisa partitë veçse kanë filluar të punojnë në terren në fushatë zgjedhore, presidentit si duket nuk do t’i dhezë ideja për të krijuar një qeveri teknike. Këtyre të fundit, ende as nuk iu ka dërguar ftesë për takim, e nuk dihet nëse do të shihen të gjithë së bashku apo një nga një.

Çka do të ndodhë me qeverinë pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit ka mbetur në dorë të presidentit Hashim Thaçit. Ky i fundit për një javë nuk e tha asnjë fjalë për atë se çfarë hapa do të marrë pas dorëheqjes.

Megjithatë, kur vendosi të flasë tha se do t’i ftojë të gjitha partitë politike në konsulltë, derisa, la të nënkuptohej se vetë ai qëndron prapa idesë për qeveri teknike.

Të enjtën e javës që shkoi, nga zyra e presidentit u bë e ditur se Thaçi do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat që i përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Partitë politike janë deklaruar se me presidentin do të shihen vetëm për të vendosur datën se kur do të mbahen zgjedhjet, e jo për të gjetur një mënyrë për të tejkaluar krizën me ndonjë ide për qeveri teknike.

Sidoqoftë në asnjë nga partitë politike nuk ka arritur ende ndonjë ftesë nga presidenti i vendit. Këto nuk e dinë as a do të mbajnë takim të gjithë së bashku, apo do të thirren një nga një.

Në një përgjigje për Express, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj thotë se deri tani nuk kanë marrë asnjë ftesë e as informatë nga presidenti.

“Nuk kemi marrë deri më tani asnjë ftesë e as informatë nga president, por, cdo takim që ka përqëllim datën e zgjedhjeve ne do të jemi aty”, ka deklaruar Nitaj.

Se nuk kanë marrë ftesë po deklarojnë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga kjo parti kanë thënë për Express se te presidenti do të shkojnë vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve.

“Tash kur po flasim ende nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga Presidenti dhe nuk kemi asnjë informacion se kur do të mbahet takimi, ndërkohë që në fundjavë pamë shumë lajme që presidenti do të thërras subjektet politike për konsulta. Por ne qëndrojmë në atë që kemi thënë që duhen zgjedhje sa më parë dhe te presidenti duhet të shkojmë vetëm për të caktuar datën se kur do të mbahen ato”, thuhet në përgjigjen nga zyra për media e Vetëvendosjes.

Nga Partia Socialdemokrate në anën tjetër po thonë se janë në pritje të kësaj ftese, e që nuk e dijnë detaje të tjera lidhur me të.

“Nuk kemi marrë ftesë nga presidenti, jemi në pritje të saj. Nuk kemi si ta dimë kur do të mbahen dhe as detaje të tjera lidhur me këtë ftesë”, tha zëdhënsja e kësaj partie, Natyra Kuçi.

Nuk kanë marrë ftesë ende e që nuk e dijnë kur do të ndodhë takimi e kanë konfirmuar shkurtimisht edhe nga partitë tjera, LDK, Nisma e PDK. Të gjithë këta deklaruan njejtë se te ai shkojnë për të biseduar vetëm për ditën e zgjedhjeve.

Hashim Thaçi javën e kaluar ka bërë të ditur se do të nisë konsulltat me partitë politike, por, i njejti nuk përmendi fjalën zgjedhje.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

-----