Ballina Sport Teuta-Partizani, Daja dhe Martini synojnë fitoren

Teuta-Partizani, Daja dhe Martini synojnë fitoren

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Partizani luan nesër në transfertë ndaj Teutës, teksa të kuqtë vijnë pas suksesit në derbi me Tiranën. Në konferencën për shtyp, trajneri Ilir Daja shprehet se ndaj durrsakëve duhet të jenë më të motivuar se në derbi për të marrë maksimumin. Ndërkaq, Daja zbuloi se tratativat me Ferhan Hasanin janë drejt përfundimit.

“Edhe në ndeshjen e fundit kam thënë që prezantimi bëhet kur hidhet firma. Në dijeninë time tratativat janë drejt përfundimit, por kur të firmosë do të them se është i joni dhe sa i rëndësishëm është për skuadrën. Dihet se është me shumë vlera dhe e ka treguar kudo ku ka qenë dhe ka bagazh të madh teknik. Kur të jetë zyrtare do shprehemi më shumë në këtë drejtim.

Kemi pasur vetëm dy ditë kohë për të përgatitur ndeshjen me Teutën. Ata kanë një ditë më shumë pushim. Ditën e parë ishte riaftësim dhe kemi punuar të ndarë në dy grupe. Dje kemi nisur përgatitjet për ndeshjen e Teutës dhe sot përfunduam seancën e fundit për të vazhduar më pas pasdite.

Jemi munduar që edhe para ndeshjes derbi edhe më mbrapa të flas me ekipin për t’i treguar se çdo ndeshje vlen 3 pikë, kështu që nuk ka vend për eufori sepse Teuta është në të njëjtin pozicion me ne. Është ekip që vjen pas dy fitoreve si ne. Ka mbrojtjen më të mirë në kampionat, kështu që nuk ka vend për eufori, derbi ka mbaruar dhe na pret një transfertë e vështirë në Durrës.

Ata janë të fortë në fushën e tyre dhe nëse duam të fitojmë, duhet të jemi më të motivuar se në ndeshjen derbi. Ne si staf kemi qenë deri në 1:30 të natës me leje, pa thyer rregullat e pandemisë për të parë afrimet në këtë repart, nuk është se kemi vendosur deri në këto momente. Kemi dy-tre alternativa për t’i parë dhe kur të bindemi se ata nuk janë nën nivelin e lojtarëve që kemi, do e bëjmë të ditur.

Në të kundërt do vazhdojmë deri në ditën e fundit të merkatos do të jemi në dinamikë për të plotësuar mbrojtjen, ndoshta jo me lojtarë të nivelit shumë të lartë, por të paktën të kemi të dubluar me lojtarë natyral repartin e mbrojtjes.

Murataj e ka pasur më të lehtë se Junior sepse e njeh Superligën dhe lojtarët sepse ka qenë këtu para disa vitesh. Junior ka nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur sepse është hera e parë në Shqipëri dhe nuk ka luajtur. Prandaj Murataj ka qenë pjesë e formacionit, ndërsa Junior do të jetë me kalimin e kohës në formacion”, u shpreh Daja.

Para kësaj sfide foli trajneri i Teutës, Edi Martini.

Shkodrani u shpreh se skuadra e tij është ekip më i mirë se Vllaznia e Partizani dhe se ekipi i tij ka gjendje fizike më të mirë se kundërshtari i nesërm.

“Ne duhet të fitojmë çdo ndeshje, gjithsesi nuk i kemi arritur të gjitha. Ndoshta edhe prej nervozizmit tonë dhe fatit. Pavarësisht renditjes sonë, ne duam të fitojmë çdo ndeshje. Është e vërtetë se derbi të jep moral, por edhe të losh. Isha në stadium dhe e pashë ndeshjen nga afër.

Ana fizike e ekipit të Partizanit është shumë e dobët sesa ne. Jam i bindur se kemi ekip më të mirë se Vllaznia dhe Partizani, pavarësisht se fati dhe gjendja psikologjike pas barazimeve radhazi nuk ka qenë e duhura, gjithsesi shpresoj dhe jam i bindur se jemi më lart se ata.

Para kësaj ndeshje më shqetëson vetëm moti sepse ka reshje dhe rëndohet terreni i fushës. Jemi ekip që e luajmë topin mirë dhe e qarkullojmë mirë dhe nëse fusha nuk është në rregull ne na pengon. Por është e njëjta gjë edhe për Partizanin sepse edhe ata kanë lojtarë teknikë.

Titulli? Pavarësisht se Vllaznia është shkëputur 9 pikë, ne jemi në ndjekje të saj. Diferenca sa duket e madhe, aq është edhe e shkurtër sepse janë shumë pikë në lojë. Të fitojmë ndeshjet tonë dhe të bëjmë kampionatin tonë”, përfundoi Martini.

---- ----
----
----- ----
-----