Ballina Sport Tetori i artë i Kumbullës, golashënues dhe fatsjellës për Romën

Tetori i artë i Kumbullës, golashënues dhe fatsjellës për Romën

9
SHPËRNDAJE

Debutimi në Kombëtaren e Shqipërisë duket se ka qenë vetëm një nga hapat më të bukur të hedhur nga Marash Kumbulla në 12 muajt e fundit.

Një vit më parë mbrojtësi debutonte në Serinë A me fanellën e Veronës në sfidën kundër Bolonjës. 90 minuta cilësore që shërbyen për t’i hapur njëherë e mirë dyert e formacionit në skuadrën e Ivan Juriçit.

Do të mjaftonin vetëm katër ndeshje të tjera dhe Kumbulla do të gjente edhe golin e parë në elitën e futbollit italian me atë gol të 5 tetorit 2019 kundër Sampdorias që i solli skuadrës së tij tri pikë të vyera.

25 prezenca në Serinë A dhe një në Kupën e Italisë e certifikuan rritjen e djaloshit, i cili u trajtua si një humbje e madhe e Italisë në rang kombëtaresh duke qenë se Marashi kishte preferuar gjithmonë vendin e origjinës së prindërve.

Vera e pazakontë për shkak të pandemisë nuk ndikoi në zbehjen e interesit për 20-vjeçarin i cili u ndoq për një kohë të gjatë nga ekipet më të mëdha italiane. Në fund ishte Roma që e siguroi falë një investimi prej afro 30 milionë eurosh.

TETORI I ARTË – Përsëri tetori i sjell fat mbrojtësit i cili, përveç Kombëtares, provoi edhe emocionet e para në kampionat me Romën. Javën e kaluar erdhi edhe debutimi në Ligën e Europës. Tjetër paraqitje për kornizë e Kumbullës që i mundësoi Romës fitoren e parë në grup falë edhe një goli që në fund vlejti për suksesin 2-1 të verdhekuqve në fushën e Jang Bojs në Zvicër. Katër ditë më pas shqiptari vendos të pasurojë edhe më tepër CV-në e tij.

Në “San Siro” ndaj Milanit i duhet të markojë Zlatan Ibrahimoviçin. Në minutat e para vuan ndoshta emocionin dhe mban fajet e golit hapës të takimit që u shënua pikërisht nga rivali suedez. Me kalimin e minutave loja e Kumbullës u rrit për të arritur kulmin në minutën e 84-t.

Ibra i kthen reston dhe me një devijim i shërben Marashit topin e artë përpara portës së boshatisur. Mbrojtësi i djeg të gjithë dhe shënon golin e parë në kampionat si romanist.

Vlen për t’u përmendur fakti se sa herë ai shënon, skuadrat e tij nuk humbin. Ndodhte te Verona e tashmë përsëritet te Roma, me Kumbullën që përveçse një përforcim me vlerë e me perspektivë, po rezulton edhe fatsjellës për ekipin e drejtuar nga Paulo Fonseka i cili dje i besoi përsëri një fanellë titullari. (Panorama Sport)

-----